LAJME

Berisha kujton betejën e “Lakut të Billushës” në 28-vjetorin e saj: Një nga fitoret e para të UÇK-së në rajonin e Prizrenit

Berisha kujton betejën e “Lakut të Billushës” në 28-vjetorin e saj: Një nga fitoret e para të UÇK-së në rajonin e Prizrenit
TV Prizreni
TV Prizreni
7 Korrik 2026, 09:19

Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe kryetari i Bashkimit Demokratik të Prizrenit, Zafir Berisha, ka kujtuar ngjarjet e 7 korrikut 1998, duke e cilësuar betejën e zhvilluar në “Lakun e Billushës” si një nga fitoret e para të rëndësishme të UÇK-së në komunën e Prizren.

Sipas Berishës, gjatë një aksioni të zhvilluar jashtë zonës së lirë të UÇK-së, ai së bashku me Lumni Berishën dhe Besmir Shalën ranë në një pritë të forcave serbe, të udhëhequra, sipas tij, nga komandanti i policisë serbe në Prizren, Shekiq. Ai ka bërë të ditur se, gjatë luftimeve, në mbështetje të forcave të UÇK-së kishin mbërritur edhe Agim Shala me luftëtarë nga Jeshkova, si dhe Xhevat Berisha e Bislim Zyrapi me bashkëluftëtarë nga Shtabi Lokal i UÇK-së.

Berisha ka rrëfyer se pas disa orësh përleshjesh të ashpra në zonën e njohur si “Laku i Billushës”, forcat serbe u detyruan të tërhiqeshin pasi pësuan humbje në përballje me luftëtarët e UÇK-së.

Ai ka theksuar se luftimet e 7 korrikut shërbyen si shtysë për mobilizimin e shumë të rinjve nga komuna e Prizrenit, të cilët iu bashkuan radhëve të UÇK-së. Sipas tij, luftimet vijuan më pas në disa zona të rajonit të Vërrinit, përfshirë Tusuzin, Lezin, Jeshkovën, Hoqën e Qytetit, Billushën, Arbërinë, Poslishtin, Malësinë e Vërrinit dhe Kushëndillin, deri në çlirimin e Kosovës.

Në shkrimin e tij, Berisha pohon se edhe pas betejës së 7 korrikut, forcat serbe, me ndihmën e bashkëpunëtorëve lokalë, organizuan disa tentativa për eliminimin e tij, por, sipas tij, ato përfunduan pa sukses.

Me rastin e 28-vjetorit të betejës, ai ka shprehur nderim për të gjithë bashkëluftëtarët, dëshmorët dhe heronjtë e Kosovës, duke vlerësuar sakrificën e tyre për lirinë e vendit.

Në fund, Berisha ka shprehur mirënjohje edhe për gazetarët Qazim Thaçi, Agron Shporta dhe Asllan Bekteshi, si dhe për aktivistin e ndjerë të Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, Masar Shala, të cilët, sipas tij, raportuan nga vendi i luftimeve dhe kontribuuan në dokumentimin e kësaj beteje.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika