Beogradi vazhdon të refuzojë kërkesat për përcaktimin e përgjegjësisë për sulmin terrorist në Banjskë, një çështje që mbetet ndër pengesat kryesore në marrëdhëniet e Serbisë me Bashkimin Evropian, por edhe me Kosovën.
Ndërsa Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara kërkojnë që përgjegjësit të dalin para drejtësisë, Milan Radoiçiq vazhdon të jetë i lirë në Serbi. Për të është lëshuar njoftimi i kuq i Interpolit, por autoritetet serbe vazhdojnë ta minimizojnë rëndësinë e tij.
“Milan Radoiçiq është në listën e kuqe të Interpolit për shkak të Kosovës dhe jo për shkak të kriminalitetit”, tha së fundmi Vuçiq.
Opozita në Serbi vlerëson se pushteti po relativizon përgjegjësinë për rastin, ndërsa Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të kërkojnë që përgjegjësit për sulmin në Banjskë të dalin para drejtësisë.
“Banjska është sot një pengesë e madhe për pushtetin në Beograd. Nuk është e lehtë të procedohen apo të ekstradohen këta njerëz, sepse mund të bëhen dëshmitarë të mbrojtur dhe të flasin jo vetëm për Banjskën, por edhe për raste të tjera. Prandaj, Banjska nuk është vetëm pengesë në marrëdhëniet me Bashkimin Evropian, por edhe barrë për qytetarët e Serbisë”, ka thënë Aleksandar Ivanoviq, deputet i Lëvizjes Popullore të Serbisë.
Në kohën e sulmit, Radoiçiq ishte nënkryetar i Listës Serbe, partisë që gëzon mbështetjen e Beogradit. Pas sulmit ai dha dorëheqje nga posti. Në draft-raportin e fundit për Serbinë, Parlamenti Evropian përsëriti kërkesën që Beogradi të bashkëpunojë me Kosovën për t’i sjellë përgjegjësit para drejtësisë.
Megjithëse Beogradi pretendon se bëhet fjalë për ndjekje politike, vetë Radoiçiq ka marrë përgjegjësinë për organizimin e grupit të armatosur në Banjskë. Kundër tij zhvillohet procedurë penale edhe në Beograd për disa vepra penale, por procesi ende nuk ka marrë epilog gjyqësor.
Radoiçiq dhe Zvonko Veselinoviq, të dy nga Kosova, prej më shumë se katër vitesh ndodhen nën sanksionet e Shteteve të Bashkuara për dyshime për përfshirje në krim të organizuar dhe korrupsion./RTK/