Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Bekë Berisha, ka thënë se ditë më parë xhandarmëria serbe e ka cenuar sigurinë e Kosovës, duke pretenduar për disa trupa serbe që kanë hyrë brenda kufijve të vendit.
“Brenda territorit të Kosova para disa ditësh është cenuar siguria jonë dhe kemi Qeveri të dobët në sigurimin e vendit. Kjo është shkelje e sovranitetit tonë dhe ftojë Ministrinë e Punëve të Brendshme të zbardhin rastin. Prania e Kosovës është e domosdoshme”, ka thënë Berisha, raporton EO.
Në një konferencë për media të enjten, ai foli edhe për Projektligjin për pensionet e zyrtarëve policorë të Policisë së Kosovës dhe punonjësit e Inspektoratit Policor të Kosovës me autorizime policor.
Sipas tij, ky Projektligj do të mundësonte angazhimin e të rinjve në Policinë e Kosovës.
Kur foli për sigurinë në veri, ai shtoi se situata atje është e tensionuar dhe se xhandarmëria serbe po e cenon sovranitetin e vendit çdo ditë.
Siç thotë deputeti i AAK-së, FSK-ja dhe Policia janë duke punuar në kushte të rënda dhe se 250 policë veç se e kanë lënë punën.
“Shumë zyrtarë janë mbi 60 vjeç. Ky ligj do të mundësonte angazhimin e të rinjve në Polici dhe do t’i hapte rrugë pranimit të kuadrove të reja. Polica dhe FSK janë duke punuar në kushte të rënda pune me orare të tejzatura. 250 policë e kanë lëshuar punën. Është gabim se Qeveria po e mban situatën të relaksuar. Situata në veri është shumë e tensionuar dhe sovraniteti i vendit tonë shkelet çdo ditë nga xhandarmëria serbe”, shtoi Berisha.