Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka përshëndetur vendimin e sotëm të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës (PACE).
“Falënderoj të gjithë ata që kanë punuar dhe kanë mbështetur kërkesën e drejtë të Kosovës për t’u anëtarësuar në Këshillin e Evropës”, ka shkruar Begaj në Facebook.
Tashmë, sipas tij, pritet vetëm hapi final në maj, i cili shënon edhe “momentin e merituar për të festuar”.
Edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka uruar Kosovën për mbështetjen që ka marrë sot në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës, për të arritur në fazën e fundit për anëtarësim në këtë organizatë.
“Një hap historik sapo u hodh në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës për pranimin e Kosovës si anëtar i komunitetit të shteteve të KiE”, ka shkruar Rama në Facebook.
“Urime, urime, urime nga zemra Kosovës dhe faleminderit të gjithë miqve e partnerëve në Asamblenë Parlamentare, që na mbështetën në hedhjen e këtij hapi të drejtë, i cili i dha Kosovës çka i takonte dhe i bëri nder vetë Këshillit të Europës”, ka uruar Rama.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, nga ana e saj ka falënderuar nga zemra të gjithë ata “që nëpërmjet votës PËR mbështetën të gjithë qytetarët e Kosovës dhe kauzën për të drejta të njeriut”.
Sot Kosova, sipas saj, shënoi një moment historik në rrugëtimin e saj evropian.
“Votimi i sotëm në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës është një dëshmi e përkushtimit tonë për drejtësi, barazi dhe për parimet themelore të demokracisë”, ka shkruar Osmani në Facebook.
“Urime Kosovës dhe të gjithëve që kanë kontribuar në këtë arritje historike!”, ka uruar e para e shtetit, duke paralajmëruar se Kosova tashmë është edhe një hap drejt anëtarësimit të plotë në Këshillin e Europës.
Lajmit për kalimin e hapit tjetër drejt anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Europës, i është gëzuar edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
“Asambleja Parlamentare i thotë PO Kosovës. Jemi edhe një hap më afër dhe vetëm një hap larg anëtarësimit në Këshillin e Evropës” – ka shkruar Kurti në Facebook.
Ai ka thënë se nga anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Europës fiton demokracia, sundimi i ligjit dhe të drejtat e njeriut e se me Kosovën aty, Këshilli i Europës fiton një demokraci të re e të gjallë, ku sundon ligji e respektohen të drejtat e njeriut.
Në Asamblenë Parlamentare më 16.04.2024, Kosova ka arritur të sigurojë votat e mjaftueshme nga delegatët e shteteve anëtare të këtij mekanizmi ndërkombëtar, raporton gazetarja e KALLXO.com që ndodhet në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës.
Këta delegatë kanë miratuar raport-opinionin e raportueses për Kosovën, Dora Bakoyannis, në të cilin rekomandohet që Kosova të ftohet për anëtarësim në KE.