Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka uruar kryeministrin në detyrë Albin Kurti për rezultatin e arritur në zgjedhjet parlamentare në Kosovë, duke u bërë thirrje njëkohësisht forcave politike që të angazhohen me përgjegjësi për garantimin e dialogut dhe kompromisit institucional.
Në një reagim pas përfundimit të procesit zgjedhor, Begaj përgëzoi qytetarët e Kosovës për, siç tha ai, pjekurinë e treguar në një proces zgjedhor të rregullt, të qetë dhe demokratik.
“Urime Albin Kurti për rezultatin e arritur në zgjedhjet parlamentare në Republikën e Kosovës. Përgëzoj qytetarët e Kosovës për pjekurinë e treguar në një proces zgjedhor të rregullt, të qetë dhe demokratik, që dëshmoi edhe një herë forcën e institucioneve dhe të kulturës demokratike të shtetit të Kosovës” – ka deklaruar Begaj.





