Kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza, ka publikuar pesë zotimet e tij kryesore për t’i dhënë fund krizës dhe për ta ndryshuar Kosovën, duke thënë se po vjen koha e rezultateve.
Zotimi i parë i Hamzës ka të bëjë me premtimet për çmime e tatime më të ulëta, paga e pensione më të larta dhe mbështetje për bizneset.
“50% më shumë para në xhepin e çdo familjeje kosovare. Më shumë mirëqenie për të gjithë”, tha Hamza.
Ndërkaq, zotimi i dytë lidhet me investimet në energji, infrastrukturë dhe teknologji të reja.
“Që Kosova të prodhojë më shumë, të zhvillohet më shpejt dhe të mbajë ritmin me rajonin dhe botën”, thotë Hamza, duke premtuar investime në këtë fushë.
Zotimi i tretë i referohet shëndetësisë cilësore, me shërbime më të shpejta dhe të qasshme për çdo qytetar.
“Sigurime shëndetësore, barna falas për sëmundjet kronike dhe trajtim me dinjitet për secilin pacient. Shërimi është e drejtë, jo privilegj”, thotë Hamza.
Për zotimi të katërt, Hamzës ka sistemin konkurrues, aftësitë për të ardhmen dhe mundësitë për të rinjtë.
“Bursa, aftësi për tregun e punës dhe mbështetje për talentin e secilit të ri në Kosovë”, tha Hamza.
Zotimi i fundit ka të bëjë me drejtësinë e pavarur, të paanshme dhe efikase.
“Zbatim i plotë i ligjit për të gjithë. Drejtësi që nuk vonon!”, vijoi Hamza.