Bashkimi Evropian ka mirëpritur zhvillimin e rregullt dhe gjithëpërfshirës të balotazhit për kryetarë komunash të mbajtur të dielën në Kosovë, duke kërkuar gjithashtu certifikimin dhe zbatimin e shpejtë të rezultateve zgjedhore.
Zëdhënësja e Komisionit Evropian, Anitta Hipper, në një konferencë për media sot në Bruksel, tha se BE-ja e vlerëson pozitivisht mënyrën se si është zhvilluar procesi zgjedhor.
“Ne mirëpresim zhvillimin e rregullt dhe gjithëpërfshirës të balotazhit për kryetar komunash të dielën dhe bëjmë thirrje për certifikim të shpejtë dhe zbatim të rezultateve zgjedhore,” deklaroi Hipper.
Sa i përket masave ndaj Kosovës, Hipper theksoi se Komisioni Evropian në maj të këtij viti ka ndërmarrë disa hapa drejt heqjes graduale të masave.
“Komisioni ka ndërmarrë disa hapa për heqjen graduale të masave në fuqi që nga maji 2025. Më konkretisht, janë rizgjedhur katër projekte asistence teknike për investime të mundshme në të ardhmen, në kuadër të programit për Reformë dhe Rritje. Hapat e ardhshëm do të varen nga qëndrueshmëria e përpjekjeve për de-përshkallëzim në veri të Kosovës,” shtoi ajo.
Vazhdimi i procesit të normalizimit dhe uljes së tensioneve në veri mbetet kusht themelor për heqjen e plotë të masave të vendosura ndaj Kosovës, të cilat përfshijnë pezullimin e disa projekteve financiare dhe pjesëmarrjen e institucioneve kosovare në programe të caktuara evropiane. /Telegrafi/
