Bashkimi Evropian i ka bërë thirrje Serbisë që ta rishqyrtojë vendimin e saj për refuzimin e vizitës së katër ministrave të Kosovës në Luginën e Preshevës.
Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano ka deklaruar se Prishtina dhe Beogradi duhet t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e nënshkruara më herët për normalizimin e marrëdhënieve të dy shteteve.
“Ne presim që Serbia dhe Kosova t’i zbatojnë plotësisht të gjitha marrëveshjet e së kaluarës, duke përfshirë këtu edhe marrëveshjen për vizitat zyrtare. Vizitat zyrtare janë një pjesë e rëndësishme e normalizimit të marrëdhënieve pasi ofrojnë një mundësi për më shumë ndërveprim dhe komunikim mes palëve”, ka deklaruar Stano.
“Sipas marrëveshjes, të gjitha vizitat duhet të kryhen në një mënyrë që të çojnë përpara procesin e normalizimit ose të kontribuojë në punën e përgjithshme në kontekstin e procesit të dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian”, ka thënë ai.
Stano deklaron se vizita e ministrave të Kosovës ishte njoftuar në përputhje me marrëveshjen dhe është dashur të lejohet.
“Vizita e ministrave të Kosovës ishte njoftuar në mënyrë adekuate në përputhje me marrëveshjen dhe prandaj është dashur të lejohet të zhvillohet. I bëjmë thirrje Serbisë të rishqyrtojë vendimin e saj dhe të lejojë që të bëhen vizita zyrtare që plotësojnë kushtet e mësipërme”, ka thënë Stano për KlanKosova.