Bashkimi Evropian i ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të nisin menjëherë me zbatimin e marrëveshjes për energjinë elektrike, të arritur në qershor të vitit të kaluar. Një zëdhënës i BE-së, Peter Stano, i tha RTV21 se përgjegjësia e zbatimit të marëveshjes bie mbi të dyja palët dhe se BE-ja nuk është palë në marrëveshjet në dialog por lehtësuese, përfshirë udhërrëfyesin e energjisë.Deklarimet e Stano pasuan kritikat e zëvendës kryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimi, pak ditë më parë me të cilat bëri përgjegjës edhe Bashkimin Evropian për, siç tha “dërgimin e sinjaleve të gabuara për “Elektroseverin” përmes interpretimeve të neneve të gabueshme të marrëveshjeve që nuk përputhen me udhërrëfyesin”.
Por BE-ja tha se të dyja palët kanë detyrime të papërmbushura në zbatimin e Udhërrëfyesit.“BE-ja është lehtësuesi, jo palë në Marrëveshjet e Dialogut – duke përfshirë edhe udhërrëfyesin e energjisë. Përgjegjësia e zbatimit i takon vetëm palëve”, tha zëdhënësi i BE-së Peter Stano. “Të dyja palët kanë detyrime të paplotësuara në lidhje me zbatimin e Udhërrëfyesit dhe BE-ja pret që të dyja palët të ecin përpara me zbatimin menjëherë. Marrëveshja komerciale është pjesë e rëndësishme e zbatimit të Udhërrëfyesit, pasi që do t’i mundësonte Kosovës që të fillojë faturimin e konsumatorëve në veri të Kosovës”, tha Peter Stano.
Kritikat e zëvendës kryeministrit Besnik Bislimi pasuan njoftimet se kompania e licencuar nga Kosova për operim në pjesën veriore të Kosovës, Elektrosever ka nënshkruar pak kohë më parë një tjetër marrëveshje me KEDS në Stamboll. Bislimi tha se kjo marrëveshje nuk ka të bëjë asgjë me marrëveshjet e Brukselit.





