LAJME

BE tenton ta arsyetojë Lajçakun, thotë se deklarata për vizat iu nxor nga konteksti

BE tenton ta arsyetojë Lajçakun, thotë se deklarata për vizat iu nxor nga konteksti
TV Prizreni
TV Prizreni
16 Qershor 2021, 17:50

Përfaqësuesi special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak ka deklaruar sot për liderët e Ballkanit se “nëse nuk i besojnë BE-së, le të shkojnë diku tjetër”.

Këtë përgjigje Lajçak e ka dhënë pas pyetjes së hulumtuesit Samir Behariq në Forumin Ballkanik, ku e ka pyetur nëse liderët e Ballkanit Perëndimor duhet t’i besojnë BE-së, duke marrë parasysh se pavarësisht premtimeve, Kosovës ende nuk i janë liberalizuar vizat.

Në një përgjigje për lajmi.net, nga Bashkimi Evropian nuk kanë pranuar të komentojnë deklaratat e Lajçak.

Sidoqoftë, BE ka aluduar se deklarata e Lajçak është nxjerrë nga konteksti.

“Ne nuk komentojmë deklaratat apo komentet e të tjerëve. Megjithatë, ne ju ftojmë ta rishikoni interferencën e plotë që deklarata të mos nxiret nga konteksti”, thuhet në përgjigjen e BE-së për lajmi.net.

Hulumtuesi në fjalë përmes një postimi në Twitter ka deklaruar se Lajçak i ka thënë se është bërë “trend” që të kritikohet BE-ja për liberalizimin e vizave.

“Tash është bërë trend të kritikohet BE-ja për liberalizimin e vizave, por liderët e Kosovës duhet të shkojnë në shtetet që po bllokojnë lëvizjen që të pajtohen”, ka deklaruar Lajçak, derisa ka pranuar se Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret e nevojshme, sipas Behariq.

Qeveria e Kosovës deri më tani nuk ka reaguar ndaj deklaratave të Lajçak që janë raportuar nga hulumtuesi në fjalë, ndërsa ish-kryetari i gjyqtarëve të EULEX-it, Malcolm Simmons është treguar mjaft i ashpër me Lajçak, duke thënë se “BE-ja po sillet si një okupator kolonial që nuk e pranon faktin se nuk është më relevant”.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika