Asociacioni i komunave Serbe është rikthyer në vëmendjen e opinionit tash kur ka rifilluar dialogu Kosovë-Serbi në Bruksel. Javën e kaluar Ambasadori i SHBA-së, Philip Kosnett, tha se vendi që përfaqëson beson se Kosova ka një detyrim për të formuar Asociacionin duke theksuar se historia nuk fillon në ditën e fomimit të Qeverisë Kurti. Në të njëjtën linjë me ambasadorin amerikan është edhe Bashkimi Evropian.
Në një përgjigje për Gazetën Online “Reporteri.net”, BE tha se pozicioni i tyre rreth Asociacionit nuk ka ndryshuar dhe se me nënshkrimin e kësaj marrëveshje, Kosova ka marrë një obligim ndërkombëtar.
“Pozicioni i BE-së për Asocacionin/Bashkësinë e komunave Serbe është mirë i njohur tashmë dhe i pandryshuar. Në vitin 2013 Kosova hyri në një marrëveshje për krijimin e Asociacionit/Bashkësisë të komunave Serbe. Kjo marrëveshje u arrit me mirëbesim nga të gjitha palët e përfshira. Asnjëherë nuk është anuluar. Në fakt, Marrëveshja e vitit 2013 u ratifikua nga Kuvendi me shumicën e 2/3. Duke vepruar kështu, Kosova ndërmori një detyrim ndërkombëtar për të zbatuar këtë marrëveshje. Kosovës i mbetet të propozojë një rrugë përpara për të zbatuar marrëveshjen”, tha zëdhënësi i Komisionit Evropian, Peter Stano.





