Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë ka deklaruar se BE-ja është e shqetësuar për disa dispozita të Ligjit për Zyrtarët Publikë që është miratuar të enjten në Kuvendin e Kosovës.
BE-ja vlerëson se komentet e SIGMA-s për këtë ligj dhe për Ligjin për Paga nuk janë marrë parasysh gjatë hartimit të tyre. Sipas BE-së, përmes Ligjit të ri për Zyrtarët Publikë, shërbimi civil bëhet potencialisht i pambrojtur ndaj politizimit.
“BE-ja shpreh keqardhjen që Kuvendi i Kosovës ka miratuar këto dy ligje pa marrë parasysh komentet e BE-së dhe OECD/SIGMA, përkundër angazhimeve të MSA-së në këtë fushë. Ligji i ri për zyrtarët publikë është problematik në lidhje me sigurimin e një shërbimi civil të bazuar në merita që mund të menaxhojë efektivisht burimet njerëzore, pasi shton lirinë e tepruar në procedurat e rekrutimit, transferimit dhe disiplinës së nëpunësve civilë, duke e bërë shërbimin civil potencialisht të pambrojtur ndaj politizimit. BE-ja do të vazhdojë të monitorojë zhvillimet që ndikojnë në reformën e administratës publike në Kosovë, do të raportojë për këto çështje në raportet e saj vjetore për Kosovën dhe mund të rivlerësojë ndihmën e saj në këtë fushë”, thuhet në reagimin e BE-së.





