LAJME

BE-ja shpreh keqardhje për dështimin e partive politike në Kosovë që të zgjedhin presidentin

BE-ja shpreh keqardhje për dështimin e partive politike në Kosovë që të zgjedhin presidentin
TV Prizreni
TV Prizreni
30 Prill 2026, 11:45

Bashkimi Evropian ka shprehur keqardhje për dështimin e partive politike në Kosovo që të identifikojnë një figurë unifikuese për president, që si pasojë ka çuar në zgjedhje të jashtëzakonshme.

Këtë e ka thënë për KOHËN një zëdhënës i BE-së, duke nënvizuar nevojën që sa më parë të forcohet dialogu ndërpartiak për të mos humbur rastet që i jepen Kosovës, përfshirë edhe përfitimet nga plani i rritjes.

“BE në mënyrë të vazhdueshme ka përsëritur thirrjen për të gjithë aktorët politikë në Kosovë që të sigurojnë stabilitet institucional. Shprehim keqardhje për faktin se partitë politike nuk arritën të identifikojnë një figurë unifikuese për kandidat presidencial, që do të thotë se Kosova tash shkon në zgjedhje të treta të përgjithshme në më pak se 18 muaj”, thuhet në përgjigjen e zëdhënësit të BE-së.

“Është urgjente që Kosova të forcojë dialogun ndërpartiak për të siguruar funksionimin e institucioneve dhe të mos e humbë rastin për përfitime për qytetarët, përfshirë edhe nën planin e rritjes”, ka thënë i njëjti burim.

“BE ka treguar gatishmëri për të vazhduar mbështetjen për Kosovën dhe për të punuar me Kosovën në secilën fushë përmes angazhimit të vazhdueshëm, përfshirë edhe implementimin e agjendës së reformave dhe dialogun e lehtësuar nga BE-ja”, thuhet më tej.

Disa burime diplomatike në BE kanë shprehur zhgënjim për zhvillimet e fundit politike në Kosovë dhe kanë shprehur frikën se tash Kosova mund të humbë edhe më shumë nga mjetet e BE-së, por edhe të ngadalësojë procesin e reformave si pasojë e krizës politike dhe proceseve të njëpasnjëshme zgjedhore.

Në BE ishte krijuar përshtypja se pas zgjedhjeve të fundit do të kishte një qeveri me shumicë stabile në Kuvend dhe një ambient të ri politik, i cili do të sillte edhe një dinamikë të re në raportet e Kosovës me Bashkimin Evropian. Tash nuk e kanë të qartë se si do të zhvillohen gjërat edhe në këtë fushë./KOHA

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika