Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë ka përshëndetur marrjen e detyrës nga kryetarët dhe asamblistët komunalë në 20 komuna të vendit, pas përfundimit të zgjedhjeve lokale gjithëpërfshirëse.
Në një postim në rrjetet sociale, BE-ja ka vlerësuar procesin e dorëzimit të përgjegjësive komunale si të qetë dhe të rregullt, duke përfshirë edhe katër komunat veriore të Kosovës.
“Ky është një hap i rëndësishëm drejt angazhimit konstruktiv në të ardhmen”, thuhet në reagimin e Zyrës së BE-së në Kosovë.
Bashkimi Evropian ka theksuar vazhdimisht rëndësinë e funksionimit demokratik të institucioneve lokale dhe pjesëmarrjen e qytetarëve në proceset zgjedhore si bazë për stabilitet dhe zhvillim në vend.
Të premten, në katër komunat në veri të vendit u betuan kryetarët e rinj serbë. Ceremonia e betimit të tyre u mbajt në prani të simboleve shtetërore të Kosovës.
Në krye të Mitrovicës u vendos Milan Radojeviq, në Zveçan Dragisha Miloviq, në Zubin-Potok Milosh Peroviq e Zoran Todiqi në Leposaviq. Ata i përkasin Listës Serbe.
