Bashkimi Evropian ka thënë se normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë është e lidhur me rrugën e Kosovës drejt procesit të integrimit në bllok, duke iu përgjigjur kryeministrit Albin Kurti i cili ka kërkuar që këto dy procese të jenë të ndara.
Kurti, në konferencë për media pas samtit “Ballkani Perëndimor takon BE-në” të mbajtur në Shkup më 22 janar, ka thënë se sa herë që i vjen mundësia kërkon që të ndahet procesi i anëtarësimit të Kosovës në BE nga procesi i normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë.
Por nga BE-ja kanë thënë se rruga për anëtarësim për Kosovën dhe Serbinë udhëhiqet përmes dialogut.
“Marrëdhëniet e mira fqinjësore, pajtimi dhe marrëdhëniet normale janë gurët e themelit të procesit të anëtarësimit në BE për çdo aspirant për anëtarësim në BE. Kjo është edhe ligjërisht e ankoruar në dokumentet përkatëse të lidhura me procesin e anëtarësimit të Kosovës, Serbisë dhe të gjithë të tjerëve. Bashkimi Evropian dhe shtetet anëtare të tij kanë qenë të qartë – publikisht dhe drejtpërdrejt me partnerët, se rruga e BE-së e Kosovës dhe Serbisë udhëhiqet përmes dialogut për normalizim (shih, ndër të tjera, konkluzionet e mëparshme të Këshillit më 2013, 2014, 2015, 2018, 2019, 2021; 2022; korniza negociuese e Serbisë dhe komunikimi i këtij viti për zgjerimin si dhe raportet e Kosovës dhe Serbisë)”, thuhet në përgjigjen e BE-së për KOHËN.
BE-ja ka paralajmëruar se si Kosova, ashtu edhe Serbia, rrezikojnë të humbasin mundësi të rëndësishme në rast se mungon progresi në dialog.
“Siç thuhet në dokumente të shumta zyrtare të BE-së dhe së fundmi në konkluzionet e Këshillit të 12 dhjetorit 2023, normalizimi i marrëdhënieve dhe zbatimi i zotimeve të dialogut janë kushte thelbësore për rrugën evropiane të Kosovës dhe Serbisë dhe të dyja rrezikojnë të humbasin mundësi të rëndësishme në mungesë të progresit”, thuhet tutje në përgjigjen e BE-së.