Grupi për Studime Juridike dhe Politike ka njoftuar se ka pranuar përgjigje nga Bashkimi Evropian në lidhje me letrën të cilën ia kishin dërguar më 20 tetor një grup i organizatave joqeveritare, ku kërkohej heqja e masave ndaj Kosovës.
Në përgjigje thuhet se hapat e parë për heqjen e masave kanë filluar, duke u liruar 216 milionë euro ndërsa së shpejti pritet të lirohen edhe 205 milionë euro të tjera.
“Në përgjigjen e pranuar sot, Komisioni ritheksoi se hapat e parë për heqjen e masave kanë filluar, ku janë liruar 216 milionë euro dhe së shpejti pritet të lirohen edhe 205 milionë euro të tjerë. Po ashtu, nga masat politike, shprehet se kanë rifilluar takimet e nën-komiteteve të Stabilizim-Asociimit. Këto veprime janë paralajmëruar në konkluzionet e Këshillit Europian të datës 16 dhjetor 2025”, thuhet mes tjerash në përgjigjen e BE-së kthyer shoqërisë civile në Kosovë.





