LAJME

Bastisen gjashtë lokacione në Zubin-Potok, sekuestrohet armatim i llojeve të ndryshme

Bastisen gjashtë lokacione në Zubin-Potok, sekuestrohet armatim i llojeve të ndryshme
TV Prizreni
TV Prizreni
16 Prill 2026, 10:26

Policia e Kosovës ka bastisur gjashtë lokacione në Zubin-Potok dhe të enjten ka sekuestruar armatim të llojeve të ndryshme, radiolidhje, granatë dore, uniforma ushtarake si dhe 213 copë municion.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se provat që u morën dëshmojnë përpjekjet për veprimtari të kundërligjshme që kanë potencial të cenojnë sigurinë në vend.

“Provat e siguruara gjatë këtij operacioni dëshmojnë përpjekje të vazhdueshme për veprimtari të kundërligjshme me potencial për të cenuar sigurinë dhe stabilitetin në vend. Institucionet shtetërore të sigurisë do të reagojnë me vendosmëri të plotë ndaj çdo individi apo grupi që përmes veprimeve kriminale paraqet kërcënim të drejtpërdrejtë për sigurinë e qytetarëve dhe vendit tonë” – ka shkruar ministri në Facebook.

Sveçla ka shtuar tutje se çdo veprim që shihet me rrezik për rendin dhe sigurinë në Kosovë, do të trajtohet me seriozitet maksimal dhe pa asnjë kompromis.

“Rendi, ligji dhe siguria në Republikën e Kosovës mbeten prioritet institucional. Çdo veprim që rrezikon këto parime do të trajtohet me seriozitet maksimal dhe pa asnjë kompromis” – përfundoi Sveçla.

 

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika