Kryetari i Gjykatës Supreme të Kosovës, Fejzullah Rexhepi, ka pritur në takim ambasadorin e Francës në Kosovë, Olivier Guérot, si dhe ndërlidhësin francez për drejtësinë dhe prokurorinë në Ballkanin Perëndimor, Cyril Lacombe.
Gjatë takimit njoftohet se është diskutuar për bashkëpunimin në fushën e sundimit të ligjit dhe mundësitë e mbështetjes në kuadër të programit IPA 2026–2027, me fokus në avancimin e efikasitetit dhe llogaridhënies së institucioneve të drejtësisë.
Temë diskutimi thuhet se kanë qenë edhe harmonizimi i praktikës juridike dhe jurisprudencës, si dhe forcimi i kapaciteteve institucionale në përputhje me standardet evropiane.
“Duke çmuar mbështetjen e vazhdueshme për sistemin gjyqësor, Kryetari Rexhepi prezantoi prioritetet dhe angazhimet e Gjykatës Supreme, duke nënvizuar rëndësinë e rritjes së efikasitetit, transparencës dhe cilësisë së vendimmarrjes gjyqësore, si dhe të bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë në funksion të avancimit të reformave në sektorin e drejtësisë”- thuhet në njoftimin e gjykatës.
Nga ana tjetër, ambasadori Guérot dhe Cyril Lacombe bëhet e ditur se ritheksuan gatishmërinë për të vazhduar mbështetjen dhe bashkëpunimin me institucionet e drejtësisë në Kosovë, me qëllim forcimin e sundimit të ligjit dhe avancimin e drejtësisë.
Gjatë takimit, Kryetari i Gjykatës Supreme u njoftua gjithashtu se në Kosovë po qëndron një delegacion i agjencisë franceze për bashkëpunim ndërkombëtar “Expertise France”, i cili po vlerëson mundësitë për realizimin e projekteve në kuadër të programit IPA 2026–2027 në fushën e sundimit të ligjit dhe forcimit të kapaciteteve institucionale.