Përmes një komunikate, Gjykata Themelore në Prizren, Departamenti i Përgjithshëm, njofton se gjyqtari i procedurës – Fatmir Krasniqi, ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje tridhjetë (30) ditë, e cila do të llogaritet prej kohës së arrestimit 16.01.2022 dhe mund të zgjasë deri më datën 16.02.2022, ndaj të pandehurës S.H., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën kanosja, nga neni 181 par. 4 lidhur me par. 2 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Gjykata me rastin e caktimit të masës së paraburgimit ndaj të pandehurës ka vlerësuar se ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit, dhe nga provat e mbledhura deri në këtë fazë, rrjedh dyshimi i bazuar:
– Më datë 19 korrik të vitit 2021, në orët e pasdites në Prizren, me qëllim të frikësimit ose shkaktimit të ankthit, e pandehura S.H., seriozisht e kanos personin tjetër me fjalë se do ta privojë nga jeta, këtu të dëmtuarin, në atë mënyrë që pasi e pandehura kanë bashkëjetuar për një kohë, me rastin e përkeqësimit të raporteve të tyre e pandehura e pakënaqur me këtë fillon që ta shqetësojë të dëmtuarin, ku ditën kritike përmes numrit të saj të telefonit i dërgon mesazh në telefonin e të dëmtuarit ku ndër të tjera e kanos me fjalët “… tash kemi për të vra se s’të kapi plumbi në Dibër tash vim te shpia jote se po të përcjellim, kemi qenë edhe mbrëmë te rruga yte por stë kemi parë, por diej që një ditë do të bish në dorë dhe ske me i shpëtue me plumbit si në Dibër”, me çka tek i dëmtuari ka shkaktuar frikë dhe ankth.





