Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Dimal Basha, priti një delegacion të gjerë prej dhjetë deputetësh nga grupe dhe komisione të ndryshme parlamentare të Finlandës, të shoqëruar nga ambasadorja e Finlandës në Kosovë, Eevamari Laaksonen.
“Deputetëve finlandezë kryetari Basha u shprehu mirënjohjen e thellë shtetërore për mbështetjen e vazhdueshme që vendi mik e partner i Finlandës dhe populli finlandez i kanë dhënë Kosovës ndër vite, mbështetje kjo jashtëzakonisht e çmuar në rrugëtimin e konsolidimit demokratik dhe shtetndërtues të vendit tonë”, thuhet në njoftim.
Sipas një komunikate për media nga Drejtoria për Media dhe Marrëdhënie me Publikun e Kuvendit, bëhet e ditur se në diskutimet e zhvilluara, në përgjigje të interesimit të lartë të deputetëve, kryetari i Kuvendit ritheksoi “perspektivën evropiane të Republikës së Kosovës dhe aspiratat e saj të fuqishme për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare”.
“Ne jemi popull që besojmë në vlerat perëndimore të demokracisë, të drejtës, të mirëqenies, barazisë dhe të lirisë, mbi të cilat është ngritur shteti ynë. Përkundër sjelljeve të vazhdueshme penguese, agresive dhe destruktive të Serbisë, angazhimi ynë mbetet garantimi i integritetit territorial, sigurimi i mirëqenies për të gjithë qytetarët tanë dhe avancimi në rrugën tonë të integrimit evropian”, theksoi kryetari Dimal Basha.
“Kreu i Kuvendit potencoi gjithashtu se Kosova është e dëshmuar për nga përkushtimi në respektimin e të drejtave të të gjitha komuniteteve si shoqëri gjithëpërfshirëse, ku secili qytetar, pa asnjë dallim, ka vend të barabartë në jetën publike dhe politike të vendit, me të gjitha të drejtat e garantuara kushtetuese dhe ligjore. Ai po ashtu potencoi faktin se shteti ynë ka ndërmarrë reforma të thella institucionale, duke forcuar sundimin e ligjit dhe duke e luftuar me vendosmëri korrupsionin dhe krimin e organizuar”, thuhet në njoftim.
“Kjo vërtetohet edhe me matjet e indekseve kredibile ndërkombëtare, që Kosovën e vlerësojnë si vend që garanton lirinë e shprehjes dhe që po shënon progres të gjithmbarshëm ekonomik, duke dëshmuar kështu orientimin tonë të qartë drejt të ardhmes në familjen evropiane”, tha kryetari Basha.