Profesori i çështjeve juridike, Mazllum Baraliu, e ka parë si tejet të rrezikshme nenin 7 të Planit evropian, për përmbajtjen e të cilit u pajtuan Kosova dhe Serbia të hënën. Sipas tij, ky nen tejkalon Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Ai ka thënë se kjo pikë u garanton serbëve autonomi territoriale.
Neni 7 i këtij plani thotë se “të dyja palët përkushtohen për arritjen e aranzhimeve specifike, në përputhje me instrumentet relevante të Këshillit të Evropës dhe duke përdorur përvojat ekzistuese evropiane, për të siguruar një nivel të përshtatshëm të vetëmenaxhim për komunitetin serb në Kosovë dhe mundësinë për provizione të shërbimeve në disa fusha specifike, përfshirë edhe mundësinë e asistencës financiare nga Serbia dhe kanale të komunikimit direkt të komunitetit serb me Qeverinë e Kosovës”. Baraliu e ka vlerësuar këtë si autonomi territoriale dhe inkorporim të shtetit serb në Kosovë si një serbi të përkufizuar territorialisht.
“Kemi të bëjmë me tjetër organizëm. Me një vetadministrim, më shumë se kaq, vetëmenaxhim, siç është quajtur tani të komunitetit serb që do të duhej të bazohej në kinse dokumente tjera, por kur i shtohen kësaj edhe të drejtat specifike dhe ndërlidhja e financimit me Beogradin dhe kanali i veçantë i komunikimit të komunitetit serb me Qeverinë, është një autonomi territoriale. Edhe përdorimi i këtij termi që disa në mënyrë infantile e interpretonin si të barabartë me pavarësinë, gabimisht fund e krye, kryeministrit mbrëmë po i referohem që e relativizoi çështjen e autonomisë se ajo ka të bëjë me vetëvendosjen e brendshme të Kosovës. Nëse ka një ekip serioze atje do ta kenë kuptuar se fjala autonomi është futur aty pikërisht për autonominë e serbëve, komunitetit serb, dhe jo për vetëvendosje. Sepse Kushtetutën e kemi të determinuar në atë aspekt”, ka thënë Baraliu në “Interaktiv” të KTV-së të premten.





