Një grup i qytetarëve të rrugës “Ardian Zurnaxhiu” (“Tahir Meha”) në Prizren kanë shprehur shqetësimin për mundësinë e ndërtimit të një ndërtese banesore në këtë lagje, në pronën e ish-ministrit të Administratës Publike Mahir Jagxhillar (Mahir Yagcilar).Banorët thonë se në këtë zonë po planifikohet ndërtimi i një ndërtese B+P+5, që sipas tyre është shumë e lartë në krahasim me ndërtesat përreth e po ashtu do të krijonte kaos urbanistik.“Mendojmë se ndërtimi i një objekti të tillë do të dëmtojë karakterin historik- kulturor dhe urbanistik të kësaj pjese të qytetit.
Objekti ku do të ndërtohet është shumë afër Qendrës Historike të Prizrenit, 20 deri në 50 metra largësi. Do të shkaktojë pengesa edhe në kaosin urbanistik sepse janë rrugët e ngushta, kanalizimi, ujësjellësi janë që nuk do të përballojnë këtë ndërtesë që po planifikohet e që do të jenë diku 50 banesa”, thotë Masar Gergule, përfaqësues i banorëve të lagjes.Sipas Gergules nënshkrimi i peticionit nga ana e banorëve ka ndikuar që fillimisht Drejtoria e Urbanizmit të refuzojë kushtet ndërtimore që u ishin dhënë investitorëve.Tutje Gergule thotë se investitorët janë ankuar në Ministri rreth refuzimit të lejes, e kjo e fundit më pas ka obliguar Komunën e Prizrenit që të lëshojë kushtet ndërtimore, ndërsa shton se si banorë janë të shqetësuar sepse Drejtoria e Urbanizimit në Komunën e Prizrenit nuk ka bërë ankesë në afat prej 30 ditësh ndaj vendimit të Ministrisë së Mjedisit.Por, sipas ish-ministrit Mahir Jagxhillar planifikimet për ndërtime në parcelën e tij nuk do të krijojnë kaos urbanistik e po ashtu në atë pjesë të qytetit ka ndërtesa të larta e mbindërtime për të cilat Komuna e Prizrenit ka dhënë leje ndërtimore.“Sa i përket pyetjes çdo gjë është në përputhje me Ligjin për Ndërtim. Unë jam rrethu me ndërtesën P+5 dhe me ndërtesa të tjera pa leje. Nga ana tjetër si shembull 60 metra larg nga parcela ime realizohet ndërtimi sipër, i cili ka marrë leje ndërtimi nga komuna.
Sa i përket ndikimit, në qoftë se ekziston diçka e tillë atëherë kjo storie nuk është zgjatur qe dy vjet. Për me u anku, unë duhet të ankohem sepse si e përmenda rasti tjetër është në përfundim, ndërsa lejen e ndërtimit, ne ende nuk e kemi marrë”, ka thënë Jagxhillar për KALLXO.com përmes një përgjigje me shkrim.Përfaqësuesi ligjor i banorëve, avokati Faik Miftari, ka treguar rreth mospajtimeve të banorëve në lidhje me planifikimet e ndërtimit të objektit.Sipas Miftarit një ndërtesë me lartësi kaq të madhe është e dëmshme për Zonën Historike të Prizrenit në shumë aspekte.“Drejtoria për Urbanizëm dhe Planifikim Hapësinor e ka shfuqizuar vendimin e saj për kushtet ndërtimore pas të cilës investitori K Group është ankuar në Ministrinë e Ambientit, e cila ankesë është aprovuar nga Ministria e Ambientit dhe e ka detyruar/obliguar Drejtorinë e Urbanizmit të nisë procedurën për dhënien e kushteve ndërtimore që duhet të plotësohen për të marrë lejen ndërtimore”, ka thënë Miftari për KALLXO.com.Miftari ka thënë se në dokumentin e lëshuar nga Ministria e Ambientit, me të cilin kjo Ministri obligon Komunën e Prizrenit të lëshojë leje, ka shkelje ligjore.
Sipas tij, Ministria është thirrur vetëm në Ligjin për Ndërtim ndërsa nuk ka përfillur ligjet e tjera e aktet nënligjore si dhe rekomandimi i Institutit për Mbrojtjen e Monumenteve, i cili nuk e lejon ndërtimin e një objekti me një etaizhitet aq të lartë për shkak se është në kufi të Zonës Historike të Prizrenit.Miftari thotë se është shkelur neni 4 i Ligjit për Ndërtim, i cili thotë se “Ky ligj zbatohet në pajtueshmëri të plotë, përveç tjerash edhe në parimin e ruajtjes dhe trashëgimisë kulturore”.Gjithashtu Miftari ka përmendur është nenin 6 të Udhëzimi Administrativ të këtij ligji ku ceket se “Zonat dhe sipërfaqet e mbrojtura përfshijnë perimetrin e vend-shtrirjes së monumentit të trashëgimisë kulturore të përcaktuar për mbrojtje dhe zonës mbrojtëse të tij në një radius prej 50 metrash për trashëgiminë arkitektonike dhe 100 metra për trashëgiminë arkeologjike”, po ashtu nenin gjashtë cek se “nuk lejohet ndërtimi i ndërtesave më të larta dhe atyre që nuk janë në harmoni me ndërtesat ekzistuese fqinje”.Avokati ka përmendur edhe nenin 7 i cili thotë se “në zonat e përcaktuara me hartë ose një monument, një ndërtesë apo grup ndërtesash, tërësi, fshat ose Qendër Historike e Qytetit, të cilat përmes një zone mbrojtëse prej 50 metrave e gjer në 100 metra mbrohen nga zhvillimet apo aktivitetet që mund të kontekstin e tyre historik, kulturor, arkitektonik, arkeologjik, mjedisor apo kuadrin vizuel estetik.Miftari shton se është shkelur edhe Ligji për Zonat e Veçanta të Mbrojtura në të cilin thotë: do të kufizohen në një hapësirë mbrojtëse prej 50 deri në 100 metra rreth perimetrit të tyre” dhe Ligji për Trashëgimi Kulturore i cili cek se “Monumentet arkitektonike nën mbrojtje të përkohshme ose të përhershme kanë një zonë që është 50 metra larg nga perimetri i monumentit.“Me planin gjeneral të Prizrenit kjo zonë gjendet në zonën e dytë të qytetit, në të cilën lejohet ndërtimi i etaizhitetit me P+2”, ka shtuar Miftari.
Miftari ka thënë se nëse jepet një leje e tillë nuk e përjashton mundësinë e padisë ndaj akterëve të përfshirë në këtë rast.Ndërkaq Asamblisti i Kuvendit Komunal të Prizrenit nga radhët e Vetëvendosjes, Ilir Gashi, ka deklaruar se i ka propozuar komunës krijimin e një moratoriumi derisa nuk aprovohet Harta Zonale me të cilën, sipas tij, do të rregulloheshin çështjet urbanistike të qytetit.“Unë jam kundër ndërtimeve sepse komuna e Prizrenit ish dashur të miratojë Hartën Zonale që do të zëvendësonte planet tjera urbanistike që rregullojnë hapësirën në Komunë e Prizrenit, por që për Hartën Zonale janë vonuar qe një vit e gjysmë dhe unë kam apeluar të kryetari që të shpallë moratorium për ndërtimet në Zonën Historike dhe zonat përreth zonës historike të Prizrenit”, thotë Gashi për KALLXO.com.
Në anën tjetër drejtori komunal i Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor ka thënë për KALLXO.com se është keqinformuar opinioni sa i përket planeve për këtë ndërtim.“Në fakt është keqinformuar opinioni, ne kemi siguruar informatat por ata me këmbëngulje kanë keqinformuar opinionin. Krejt procedura është ndjekur sipas Ligjit të Ndërtimit, përderisa prej Institutit nuk kemi pranuar përgjigje brenda gjashtë muajve ne jemi detyruar si drejtori të vazhdojmë procedurat sipas Ligjit të Ndërtimit dhe hapi parë që kemi ndjekur është njoftimi që kemi vendosur, i cili ka qëndruar më shumë se dy javë në hapësirën në fjalë dhe brenda kësaj periudhe nuk kemi pranuar asnjë ankesë as nga banorët e as nga shoqëria civile dhe si të tillë ne jemi të obliguar që të vazhdojmë me hapin e dytë që ka të bëjë me kushtet ndërtimore dhe në kushtet ndërtimore kemi përcaktuar etaizhitetin duke u bazuar në nenin 18 të Ligjit për Ndërtim që thotë se në afërsi çfarëdo etaizhiteti që ka për neve është orientuese dhe nuk kemi pasur të drejtë të bëjmë një tejkalim të objekteve që janë në ndërtim”, ka deklaruar Kizolli.Kizolli ka shtuar se në hapësirat ku nuk ka Plane Rregulluese duhet të zbatohet Ligji për Ndërtim.
“Instituti në fjalë [Instituti i Kosovës për Mbrojtje të Monumenteve të Kosovës] na ka lëshuar një rekomandim dhe në bazë të rekomandimit, ne kemi refuzuar kushtet ndërtimore që kemi lëshuar fillimisht në korrik apo gusht të vitit 2020. Ky rekomandim bazohet në dy shënime ku thotë se refuzohet ndërtimi i etaizhitetit B+P+5 dhe kërkon që të zbatojmë zonën e dytë ku parashihet P+2. Këta referohen në Planin Urbanistik, i cili nuk është në fuqi”, ka shtuar më tej Kizolli.Sipas tij Ministria e Mjedisit ka kërkuar informacione shtesë dhe ka konstatuar se në parcelat kadastrale ku parashihet ndërtimi nuk është në Zonën Historike dhe nuk ka Plan Rregullues.Komuna e Prizrenit ka lëshuar kushtet ndërtimore për herë të dytë në bazë të vendimit të MMPHI dhe rekomandimeve nga Institucionet relevante.Sipas Kizollit, nga Ministria është kërkuar që Instituti në përcaktojë perimetrin që sipas Ligjit për Trashëgimi Kulturore, neni 6 thotë se ky perimetër ku janë objektet e trashëgimisë kulturore është 50 metra, por mund të zgjerohet dhe ngushtohet.Sipas tij, kjo është problematika!Kizolli më tej thotë se Instituti ka përcaktuar këtë perimetër për komuna të caktuara ndërsa këtë ende se ka bërë për komunën e Prizrenit.“Ne po të kishim pasur perimetrin do të kishim marrë të gjitha masat e duhura dhe do të kishim respektuar rekomandimin e jashtë këtij perimetri çdo gjë i takon nenit të 18-të të Ligjit për Ndërtim”, thotë Kizolli.Sipas Kizollit ky objekt që parashihet të ndërtohet është 38.22 metra në largësi të objektit të ish Armatës (Pjesë e Listës së Trashëgimisë Kulturore).Kizolli thotë që Plani Urbanistik ka skaduar në 2013 dhe pas hyrjes në fuqi të Planit Zhvillimor Komunal (2013-2025), komuna nuk i referohet më Planit Urbanistik.“Ne kemi qenë të obliguar të veprojmë sipas vendimit të ministrisë që brenda 30 ditëve.
Ne kemi lëshuar kushtet ndërtimore dhe kemi pasur një takim me ta. Kemi kërkuar edhe idenë e projektit të përmirësuar në bazë të rekomandimeve dhe besoj se do ta sigurojnë dhe sipas dakordimit që është bërë në mes të zyrtarëve të dy ministrive dhe drejtorisë sonë përsëri lëndën do ta drejtojmë te Instituti dhe do të presim brenda dy javëve, ashtu siç e parasheh Ligji i Trashëgimisë Kulturore, një përgjigje në mënyrë që ta përmbyllim këtë lëndë, qoftë me një po ose një jo sepse lëndë në fjalë është që nga nëntori 2019 dhe gjashtëmbëdhjetë muaj nuk po arrijmë një përgjigje ta japim për një objekt”, ka përfunduar ai.KALLXO.com ka kontaktuar me investitorët K Group për të marrë një koment rreth mospajtimeve të banorëve, por të njëjtit nuk kanë pranuar të deklarohen për media.Të dhënat nga hulumtimi tregojnë se komuna pasi i kishte dhënë kushtet ndërtimore kishte vendosur t’i anulojë ato pas reagimit të qytetarëve. Dosja na tregon se invesitori është ankuar në Ministrinë e Mjedisit. Sipas dosjes ndërhyrja e Ministrisë ka bërë që komuna të lëshojë përsëri kushtet ndërtimore. Pra ministria e ka obliguar komunën që ta anulojë vendimin dhe të ia japë kushtet ndërtimore përsëri kompanisë që pretendon të ndërtojë në këtë zonë.Gjatë hulumtimit kemi kuptuar që Komuna e Prizrenit ka pasur të drejtë të ankohet brenda 30 ditësh ndaj këtij vendimi të Ministrisë, por s’ka bërë ankesë.Drejtori i Urbanizmit, Beni Kizolli na ka thënë që kështu është praktikë e Drejtorisë dhe si të tillë do ta vazhdojnë edhe më tej. Drejtori po ashtu ka treguar se në vendime të këtij lloji kjo Komunë nuk ka bërë ankesë asnjëherë.“Në fakt është kundër logjikës dhe kundër praktikës që ne veprojmë si drejtori në Komunën e Prizrenit dhe si çdo drejtori tjetër në Kosovë sepse në ato hapësira brenda zonës urbane ku nuk kemi plane rregulluese jemi të detyruar të veprojmë me Ligjin e Ndërtimit përkatësisht me nenin 18 dhe deri më tani ku ka mungu një plan i tillë ne si referencë e kemi pasur nenin e 18 të këtij Ligji.
Nuk mund të jetë ky rasti i vetëm dhe ne të marrim guxim dhe të kundërshtojmë, ne duhet të vazhdojmë praktikën që kemi realizuar dhe duhet ta ndjekim atë deri në fund. Nuk është një hapësirë për keqpërdorim, thjeshtë është një alternativë, por ka raste që bie keq dhe për këtë arsye ne nuk duhet të marrim të drejtën që të kundërshtojmë sipas dëshirës tonë diku mirë e diku keq. Ne duhet të jemi të vetëdijshëm dhe të përgjegjshëm dhe në çdo hapësirë brenda vijës urbane dhe të sigurojmë plane rregulluese në mënyrë që të mos mbesim në nenin 18 të Ligjit për Ndërtim”, ka thënë Kizolli.“Jo, përveç në rastet e tjera kur ka qenë edhe hapësira në mbrojtje dhe në gjëra të tjera pak më të ndjeshme. Në hapësirën në fjalë kur kemi kërkesë për ndërtim nga 17 nëntori 2019 ne fatmirësisht apo fatkeqësisht kemi dhënë lejen me këtë nen”, ka shtuar më tej ai.Komuna e Prizrenit ka përfunduar procesin e hartimit të Hartës Zonale ndërsa ky dokument komunal tashmë pret aprovimin e Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës