Banorët nga rruga “Jul Variboba” në lagjen “Hoqamahallë” të Prizrenit kanë shprehur shqetësimin lidhur me reduktimet që aplikohen në furnizimin me ujë të pijes.Sipas tyre ka disa muaj që në këtë pjesë të qytetit aplikohen këto reduktime.
“Tash e gjashtë muaj të plotë në Prizren, në Lagjen “Hoqamahalla” saktësisht në rrugën “Jul Variboba” përballemi me ndalesa të mëdha të ujit, nga 14 orë pa ujë”, thuhet në ankesën e një qytetari të dërguar në adresën e Telegrafit.
Aty theksohet se lidhur me këtë çështje nuk ka pasur ndonjë informatë të detajuar nga Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Hidroregjioni Jugor”, ndërkohë që reduktimet e vazhdueshme paraqesin shqetësim për banorët e kësaj ane.
Ushtruesi i detyrës së Kryeshefit Ekzekutiv në KRU “Hidroregjioni Jugor”, Fadil Berisha ka deklaruar se reduktimet në këtë pjesë të epërme të qytetit vijnë si pasojë e rënies së nivelit të ujit në burimet përkatëse.
“Rënia e nivelit të ujit në burimet prej nga furnizohet lagja “Hoqamahallë” ka bërë që në këtë pjesë të aplikohen reduktimet gjatë natës, derisa gjatë ditës vazhdon furnizimi me ujë të pijes. Jemi duke e përcjellë gjendjen, dhe indikacionet e fundit janë pozitive, sa i përket stabilizimit të nivelit të ujit në burime, gjë që do të ndikonte pastaj edhe në eliminimin e reduktimeve në këtë pjesë”, ka thënë Berisha për Telegrafin.
Sipas tij, edhe konsumatorët janë njoftuar për sfidat në këtë drejtim.
“Ne kemi zhvilluar takime me banorët dhe i kemi njoftuar lidhur me sfidat. Presim që brenda pak kohësh, me përmirësimin e gjendjes në burime, të stabilizohet furnizimi me ujë të pijes në këtë pjesë të qytetit”, është shprehur Berisha.
Sa i përket reduktimeve, banorët e një lagjeje tjetër përkatësisht lagjes “Bajram Curri” rreth dy muaj më parë patën protestuar para zyrave të KRU “Hidroregjioni Jugor” për furnizimin e parregullt me ujë të pijes, duke kërkuar gjetjen e një zgjidhjeje të qëndrueshme./Telegrafi/