Banka Botërore ka parashikuar se vendet e Ballkanit Perëndimor do të kenë rënie në rritjen ekonomike në vitin 2025 krahasuar me vitin 2024.
Në njoftimin për shtyp, bëhet e ditur se rritja ekonomike në Ballkanin Perëndimor parashikohet të ngadalësohet në vitin 2025, për shkak të kërkesës së jashtme më të ulët si dhe pasigurisë ekonomike të krijuar si rezultat i ndryshimeve që po ndodhin në politikat tregtare globale, të cilat mund të ndikojnë në besimin e bizneseve dhe të konsumatorëve.
Në raportin e Rregullt Ekonomik të Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor, të publikuar sot parashikohet se norma e përbashkët e rritjes ekonomike e Shqipërisë, Bosnje dhe Hercegovinës, Kosovës, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë, do të arrijë në 3.2% në vitin 2025, që paraqet një ndryshim me 0.5 pikë përqindje më pak nga parashikimi i mëparshëm. Rritja ekonomike parashikohet të përshpejtohet në 3.5% në vitin 2026.
“Ne po vërejmë disa tendenca pozitive ekonomike në Ballkanin Perëndimor, të cilat nxjerrin në pah qëndrueshmërinë e rajonit dhe mund të mbështesin rritjen solide të tij. Inflacioni më i ulët dhe rritja e pagave mbështesin konsumin, ndërsa investimet publike po rriten,” thotë Xiaoqing Yu, Drejtoreshë e Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor.
“Nga ana tjetër, po vërejmë rritje të pasigurisë së brendshme në disa nga ekonomitë e Ballkanit Perëndimor. Ngadalësimi i aktivitetit ekonomik në Bashkimin Europian dhe pasiguritë në rritje në tregtinë globale gjithashtu mund të ndikojnë negativisht perspektivën e rritjes ekonomike të rajonit”, vijon tutje ajo, transmeton Klankosova.tv
Ngadalësimi pritet të zvogëlojë tregtinë mallrave dhe shërbimeve, si dhe investimet dhe dërgesat.
Raporti sugjeron se strategjitë më efikase për ruajtjen e stabilitetit ekonomik gjatë periudhave të pasigurisë ekonomike janë diversifikimi i burimeve të rritjes dhe rinovimi i agjendës së reformave strukturore.
Masat kryesore përfshijnë eliminimin e barrierave në tregun e punës – përfshirë ato që prekin gratë – forcimin e integrimit ekonomik rajonal, përmirësimin e standardeve të qeverisjes dhe rritjen e konkurrencës në treg për të nxitur produktivitetin dhe mbështetur rritjen ekonomike afatgjatë. /Klankosova.tv