Talat Xhaferi do të jetë kryeministri i parë shqiptar në Maqedoninë e Veriut. Ai do të drejtojë qeverinë teknike për 100 ditë, deri në zgjedhjet e ardhshme.
Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, të premten ia ka dorëzuar mandatin për formimin e qeverisë së re për organizimin e zgjedhjeve Talat Xhaferit.
Ndërkaq kuvendi i Maqedonisë së Veriut, sot do të zgjedh Qeverinë Teknike me mandatar Talat Xhaferin. Mandati i saj do jetë rreth 3 muj, ndërsa detyra e këtij formati të organit ekzekutiv është përgatitja e vendit për zgjedhjet parlamentare të 8 majit, në krye me Talat Xhaferin.
Roli dhe kompetencat e kryeministrit teknik i cili buroi si ide e negociatave të “Përzhinës” në vitin 2015 është i kufizuar, përkatësisht është i cunguar nga fuqia ekzekutive. Ligji mbi Qeverinë përcakton kompetencat e organit ekzekutiv dhe të resorëve brenda saj, kryesisht të atyre që udhëhiqen nga opozita apo kanë zëvendësministra plotësues.
Po kush është Talat Xhaferi
Talat Xhaferi ka lindur më 15 prill 1962 në Gostivar. Në vitin 1981, regjistrohet në Akademinë Ushtarake e Forcave Tokësore – drejtimi i këmbësorisë, dhe mësimin e ndjek në Beograd dhe në Sarajevë.
Prej vitit 1996 deri në vitin 1998 u përkushtohet studimeve pas universitare me specializim në detyrat komanduese dhe të shtabit në Akademinë Ushtarake Shkup, ndërsa në vitin 2013, fiton titullin magjistër, pas mbrojtjes së suksesshme të tezës në Fakultetin Filozofik pranë Universitetit në Shkup.
Karrierën e tij e ka vazhduar në disa kazerma ushtarake të asaj kohe të Armatës Popullore të Jugosllavisë, ku thuhet se ka qenë në Nish, Sarajevë, etj. Pas pavarësisë se Maqedonisë, ai kthehet në vendlindje dhe inkuadrohet në Armatën e Maqedonisë, duke qenë oficer i lartë dhe pas një periudhe zgjidhet komandant i njësiteve të këmbësorisë në kazermën e Tetovës.
Më 28 prill të 2001, kur po zhvillohej konflikti i armatosur në Maqedoninë e Veriut mes forcave maqedonase të sigurisë dhe UÇK-së, Xhaferri braktis radhët e Armatës së Maqedonisë dhe kaloi në radhët e UÇK-së. Ai në këtë periudhë u njoh me nofkën komandant Forina.
Gjatë viteve të përfshirjes në politikë në radhët e BDI-së, ka qenë deputet, zëvendësministër i Mbrojtjes në vitin 2008 dhe ministër i Mbrojtjes në shkurt të 2013.
Në vitin 2016, për herën e pestë zgjidhet deputet në Kuvend, ndërsa në vitin 2017, zgjidhet Kryetar i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Më 21 gusht 2017 zgjidhet Kryetar i dhomës ligjvënëse.
Talat Xhaferi flet gjuhën shqipe, maqedonase, serbe, kroate dhe angleze.