Ballkani po bëhet gati të debutoj në grupet e Ligës së Konferencës, ku të enjten mbrëma do të jetë sfida e parë.
Kampioni në fuqi i Kosovës në ndeshjen e parë do të përballet me kampionët e Rumanisë, CFR Cluj.
Ballkani është në top formë, ku ka marrë tri fitore në tri ndeshjet e para në kampionat, madje të gjitha me rezultat të njëjtë 1-0 duke mbajtur portën e paprekur në 270 minuta.
Forma e mirë e Ballkanit i ka lënë përshtypje edhe mediumit rumun ‘Prosport.ro’, që madje e ka quajtur kampionin e vendit tonë si ‘Juventusi i Kosovës’.
“Dan Petrescu, i frikësuar nga ‘Juventusi i Kosovës’ para debutimit në Ligën e Konferencës. Kundërshtari i CFR Cluj në top formë pas fitores në derbi. Pa asnjë humbje”, është titulli i mediumit rumun.
“Dan Petrescu ka probleme serioze para duelit me Ballkanin, kundërshtarin e parë të CFR Cluj nga grupet e Ligës së Konferencës. Tekniku i kampionit rumun ka arsye të frikësohet nga udhëtimi në Kosovë, duke qenë se CFR Cluj do të përballet me një ekip në formë të shkëlqyer”.
“CFR Cluj e ka shtyrë derbin me FCSB-në, pikërisht që skuadra të përgatisin sa më mirë ndeshjen e parë në Ligën e Konferencës”.
“Ballkani, tri fitore radhazi dhe asnjë gol i pësuar në kampionat. 11 ndeshje pa asnjë dështim të vetëm Mbrojtja e shkëlqyer e Ballkanit do ta bënte ziliqar Dan Petreskun, aq më tepër që skuadra e tij nuk është më aq e sigurt në mbrojtje”, thuhet në shkrimin e mediumit rumun.
Ballkani dhe Cluj përballen të enjten me fillim nga ora 18:45 në stadiumin ‘Fadil Vokrri’ në Prishtinë.
Përpos kampionëve të Rumanisë, Ballkani në grup të Ligës së Konferencës ka edhe Slavia Pragën dhe skuadrën turke Sivaspor. /Telegrafi/