Gareth Bale ka vendosur të tërhiqet nga futbolli aktiv në moshën 33-vjeçare.
Ylli uellsian ka njoftuar për vendimin në rrjete sociale.
“Pasi kam shqyrtuar me kujdes, njoftoj tërheqjen time të menjëhershme nga futbolli në nivel të klubeve dhe përfaqësueseve”, ka shkruar Bale në rrjete sociale. “Ndjehem shumë me fat që kam realizuar ëndrrën time të luaj sportin që e dua”.
Bale ka thënë se ka jetuar një ëndërr gjatë 17 stinorëve.
Gjatë kësaj periudhe ka fituar pesë herë Ligën e Kampionëve, tri herë La Ligan, tri herë Superkupën e Evropës, tri herë Botërorin e klubeve dhe nga një herë Kupën e Superkupën e Spanjës me Real Madridin.
Së fundi ishte pjesë e Los Angeles FC me të cilën fitoi MLS Cupin dhe Supporters Shieldin vitin e kaluar.
Bale te Real Madridi ishte transferuar në verën e vitit 2013 nga Tottenhami për shumë rekorde atëbotë prej 101 milionë euro.
Por, te Real Madridi pati probleme të shumta me lëndime dhe me formë, ndonëse qëndroi deri në verën e vitit të kaluar, kur kaloi në SHBA te Los Angeles FC.
Bale ka falënderuar ish-skuadrat e tij Southampton, Tottenham, Real Madrid dhe Los Angeles FC, po ashtu edhe gjtihë trajnerët që ka pasur gjatë karrierës.
Ka falënderuar edhe familjaraët, duke thënë se pa ta nuk do të ishte e mundur kjo karrierë.
“Po vazhdoj tash me emocione drejt fazës tjetër të jetës. Një kohë ndryshimi dhe tranzicioni, një mundësi për aventurë të re”, ka shkruar Bale.
Bale me Uellsin ka luajtur 111 ndeshje dhe i ka shënuar 40 gola.
Ai ka thënë se vendimi për t’u tërhequr nga përfaqësuesja ka qenë shumë i vështirë.
“Vendimi për t’u tërhequr nga përfaqësuesja ka qenë më i vështiri në karrierën time”, ka shkruar Bale.