LAJME

Bajrami: Qytetarët ndëshkuan pushtetin, por edhe neve na thanë se duhet më shumë punë

Bajrami: Qytetarët ndëshkuan pushtetin, por edhe neve na thanë se duhet më shumë punë
TV Prizreni
TV Prizreni
9 Qershor 2026, 08:57

Kandidatja për deputete e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka thënë se rënia e daljes së qytetarëve në zgjedhjet e 7 qershorit përbën mesazh të qartë për partitë politike.

Sipas saj, qytetarët ndëshkuan Vetëvendosjen që nga 51 për qind ra në 43, por edhe partitë në opozitë që nuk shtuan shumë votë.

“Mosdalja në votime është po ashtu një mesazh i qartë për secilin prej nesh. E lexoj këtë rezultat si protestë qytetare! Abstenimi i tyre është thirrje për reflektim dhe llogaridhënie se pse erdhëm në situatën ku mbajmë zgjedhje për të shkuar përsëri në zgjedhje”, ka shkruar ajo në Facebook të martën. “Njëkohësisht, edhe neve na thanë qartë se duhet më shumë punë, më shumë seriozitet dhe më shumë përkushtim që të na shohin si zgjidhje”.

Ajo ka thënë se për partitë politike është koha e fundit që të mendohet përtej karrigeve.

“Dhe rezultati i këtyre zgjedhjeve është thirrje për reflektim sepse, nëse duam të jemi të sinqertë me veten, qartazi diku ia kemi huqur. Lidhja Demokratike e Kosovës është më shumë se një palë zgjedhje, më shumë se një rezultat dhe më shumë se një episod politik, andaj duhet reflektim i thellë për tu rikthyer më e fortë”, ka shtuar ajo.

Nga numërimi i më shumë se 20 për qind të vendvotimeve, Bajrami ka dalë ndër katër deputetët më të votuar të LDK-së.

LDK-ja në krahasim me dhjetor shënoi rritje prej rreth katër për qind. Partia e parë mbetet VV-ja me 43 për qind, ndërsa PDK-ja e dyta me 21 për qind.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika