Deputetja e zgjedhur e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka folur një ditë pasi Kuvendi i partisë e rikonfirmoi Lumir Abdixhikun si kryetar të saj. Ajo ka thënë se ishte në mesin e delegatëve që votuan për ndryshim.
Të enjten, 170 delegatë të LDK-së votuan për qëndrimin e Abdixhikut në krye të partisë, ndërsa 152 për largimin e tij. Nisma për shkarkimin e tij u ndërmorr pas zgjedhjeve të 7 qershorit, kur LDK-ja ka dalë prapë parti e tretë me 16.7 për qind të votave.
“Po, unë isha në mesin e 152 delegatëve që besuam se LDK-së i duhet ndryshimi, por ishin 170 të tjerë, të cilët mbrëmë patën mendim ndryshe. Në shtëpinë e demokracisë, gjithmonë fiton demokracia”, ka shkruar në Facebook Bajrami.
Abdixhiku të enjten në fjalimin e mbajtur pas Kuvendit ka thënë se do t’i shmnagë tendencat e përçarjes së partisë dhe të krijimit të krizave që ai i ka quajtur të paqena.
“Do të zotohem dhe do të përpiqem ta bashkoj sa më shumë LDK-në, por pa bërë kompromise mbi vlerat tona, mbi atë që besojmë dhe duke shmangur çfarëdo tendence edhe të përçarjes së LDK-së edhe krijimit të krizave të paqena”, ka thënë Abdixhiku.
Menjëherë pas konfirmimit të Abdixhikut si kryerar, ai dhe nënkryetari i partisë Lutfi Haziri kanë paralajmëruar rikthim në tavolinën e bisedimeve me Lëvizjen Vetëvendosje, për formimin e institucioneve. Ky proces ishte pezulluar për shkak të Kuvendit të ftuar të LDK-së, me inicimin e shkarkimit të Abdixhikut.