LAJME

Bajrami akuzon Kurtin për emërime të panevojshme: Po zhvatet buxheti i shtetit

Bajrami akuzon Kurtin për emërime të panevojshme: Po zhvatet buxheti i shtetit
TV Prizreni
TV Prizreni
2 Maj 2026, 12:08

Anëtarja e Kryesisë së Lidhjes Demokratike e Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka akuzuar kryeministrin në detyrë Albin Kurti se po emëron zëvendësministra pa nevojë, vetëm për t’u siguruar paga nga buxheti i shtetit.

Sipas saj, në një kohë kur Qeveria është në dorëheqje dhe me kompetenca të kufizuara, emërimet e reja janë të pajustifikueshme.

“Kur një qeveri është në dorëheqje, ministrat kanë kompetenca të kufizuara dhe nuk punojnë me kapacitet të plotë. Pikërisht në këtë situatë Kurti po emëron zëvendësministra. Jo për punë, sepse s’ka punë dhe as ndonjë nevojë urgjente, por që të marrin pagë nga buxheti pa bërë asgjë”, ka shkruar Bajrami.

Ajo e ka cilësuar këtë veprim si “zhvatje të buxhetit” dhe “abuzim me pozitën zyrtare”, duke shtuar se dëmi nuk kufizohet vetëm te shpenzimet aktuale.

“Dëmi është edhe te standardi që po vendoset, duke e trajtuar shtetin si pronë partiake dhe si mjet për shpërblimin e militantëve. Këto standarde të ulëta do t’i kushtojnë gjatë këtij vendi”, është shprehur ajo.

Në fund, Bajrami i ka bërë thirrje Qeverisë që të largohet nga pushteti, duke theksuar se, sipas saj, “është koha të shkoni në opozitë, pasi e keni gërryer shtetin”.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika