Shëtitjet në sheshet e Prishtinës janë e tashmja e ikonës së boksit, Aziz Salihu. Ecjen në sheshin kryesor e ka përditshmëri.
Shumë persona kthejnë kokën për ta shikuar dhe përshëndetur boksierin e dikurshëm. Njihet nga të gjitha moshat. Ata më në moshë mbajnë mend veprën e Zizit në ring. Më të rinjtë dinë për Zizin kryesisht nga ajo që kanë dëgjuar.
Ka shumë për të dëgjuar e lexuar për Aziz Salihun. Vepra e tij sportive është e madhe.
Të dielën, gjatë një ecjeje në sheshet “Zahir Pajaziti” e “Skënderbeu”, Salihu tregoi shumëçka për karrierën e tij.
“Populli më do shumë, më respekton dhe më ndihmon. Diaspora, të mos flasim. Kur jam në momente të vështira ma shtrijnë dorën e ndihmës. Unë nuk u kërkoj, por më ndihmojnë, sepse e dinë ku jam dhe çka jam”, ka thënë Salihu.
Tregon se ka marrë pjesë gjashtë herë në Kampionate Evropiane e pesë herë në kampionate ballkanike. Dy herë ishte në Lojëra Mesdhetare dhe tri herë në Lojëra Olimpike që janë ngjarja më madhore. Ishte në “Moska 1980”, “Los Angeles 1984” dhe “Seul 1988”. Ka përfaqësuar shtetin e dikurshëm federativ.
Ditët më të mira si boksier i kaloi në klubin e Prishtinës, në vitet tetëdhjeta të shekullit të kaluar.
“Ëndërr i shoh se cilët i kam rrahur dhe nganjëherë shoh edhe ëndrra se çka jam duke hequr si sportist i shekullit që jam. E gjithë bota e di se kush është Aziz Salihu dhe gjithnjë kanë pasur frikë nga unë se kam qenë i mirë, kam qenë i lindur për këtë sport”, ka theksuar Aziz Salihu.
Thotë se është bërë i famshëm falë forcës dhe teknikës së shfaqur në ring. Lëvizjet e shpejta i ka edhe sot, thotë Aziz Salihu.
“Dhjetë herë kampion i Jugosllavisë”, thotë me mburrje. “Ka qenë kënaqësi e madhe se krejt më respektonin”.
Mburret, po ashtu, që me emrin që kishte bërë në ring ka thyer barriera duke dërguar boksierët në turne të ndryshëm, ndonëse Federata e Boksit e Kosovës nuk ishte e pranuar në asociacionet ndërkombëtare.
“Unë si Aziz Salihu sot ku të shkoj i kam dyert hapur. Të gjithë vrapojnë pas meje, më duan dhe më respektojnë. Edhe populli i Kosovës më do, por nganjëherë e pyes veten se a jam i Kosovës, a jam për këtë shtet. Aziz Salihu me gjithë këtë emër nuk ka hapësirë. Thonë të më bëjnë selektor, kur shkoj nuk më bëjnë”, ankohet ai.
Aziz Salihu me krenari flet edhe për kontributin e dhënë në themelimin e Komitetit Olimpik të Kosovës.
“E kam themeluar Komitetin Olimpik të Kosovës. Është një kënaqësi për mua. Më patën rrahur atëherë shumë keq, por e bëj hallall pasi kryesorja u formua Komiteti dhe sot sportistët mund të marrin pjesë në Olimpiada”.
Salihu i kthehet edhe njëherë së kaluarës dhe me mburrje flet për medaljen e bronztë olimpike.
e bronztë e imja është dukat. Aty ka qenë një turp, sepse të gjithë e kanë parë se si më është marrë fitorja. Atë kundërshtar e kam rrahur tri herë, tri herë më janë marrë fitoret”, thotë Salihu. Medaljen e bronztë olimpike e kishte fituar në vitin 1984 në Los Angeles.
Suksesin e tij e kanë kaluar xhudistet. Majlinda Kelmendi, Distria Krasniqi e Nora Gjakova kanë fituar medalje të arta olimpike për Kosovën.
“Unë e çmoj Majlindën, sukseset e saj dhe tash të Norës dhe Distrisë. Por, unë jam sportisti i vetëm mashkull që kam medalje olimpike. Po të isha femër do të bëhesha ndoshta dhjetë herë kampion olimpik. Mua më është bërë shumë e padrejtë, të gjitha luftërat e fituara më janë marrë pa të drejtë. Prishtina ka pasur shumë boksierë, por në Olimpiadë ka shkuar vetëm ai që ka pasur normë. Nuk kanë mundur të tjerët t’i dërgojnë”, tregon versionin e tij Salihu.
Zizi është i kënaqur me karrierën që ka pasur. E mbush vullnet respekti i qytetarëve.
“Unë jam i kënaqur me karrierën time dhe të arriturat e mia. Në shtetin tim do të isha kampion i padiskutueshëm, por në Beograd më shumë e donin një Dragan dhe më janë hequr fitoret. Nuk e kam ditur që gjëra të tilla bëheshin. Dhe nganjëherë them a jam normal me kënd kam boksuar, habitem edhe vetë”.
Ai pret që Komuna e Prishtinës ta ndihmojë klubin e boksit. Salihu është kryetar i klubit.
“Prishtina si klub e ka pasur dhe e ka ende një shtëpi të veten. Dhe na është premtuar që tash të na japin për të nxjerrë gjenerata të suksesshme. Kryetari i ri i Prishtinës më ka premtuar për ta rregulluar sallën e klubit të boksit Prishtina. Do të jetë fantastike. Si në KOK, si në Federatë, më harrojnë. ‘Sportisti i Shekullit’ të harrohet është turp. Nuk e di pse. Boksi dhe të gjitha sportet e tjera nuk kanë mundur të bëjnë më shumë se unë, të gjithë e dinë këtë”, ankohet sërish Salihu.
Flet me qejf për turnetë e organizuar.
“Kam organizuar rreth 50 turne dhe të gjithë sportistët i kanë marrë paratë. Vetëm unë jo. E unë gjithë turnetë i kam mbajtur me paratë e mia. Duhet të dinë të gjithë kush është Aziz Salihu. Po të vrapoja për vete do të isha miliarder, jo të mbes rrugëve sot”, është shprehur 67-vjeçari.
Shoqëria e ndihmoi kur pati telashe serioze me shëndetin. U trajtua në Turqi. Salihu u është mirënjohës të gjithë atyre që e ndihmuan në forma të ndryshme. Thotë se nuk kishte besuar se lufta jashtë ringut do të ishte më e rëndë se ajo brenda litarëve.
“Dola i gjallë. Jo i gjallë, por dy herë më i fortë se që kam qenë. Sot do të hyja në ring sërish. Kam lindur për këtë sport. Respekt kam shumë. Do Zoti që të gjithë sportistët të mos i mashtrojnë si mua që janë duke ma bërë. Pres të kem takim me kryeministrin dhe të gjithë të tjerët, sepse e di që më çmojnë. Por deri tash nuk më kanë pranuar në takim. Pres ndihmë për familjen time. Nëse unë nuk jam aty, meriton dikush prej familjes sime të jetë në KOK. Monika ka qenë kampione në Evropë në karate. Bile ajo meriton të jetë. Gruaja me dy fakultete të kryera. Shumë keq. Nuk më respektojnë. Populli më do, më respekton, por të mos kem një dhjetëminutësh te kryeministri apo presidentja është e habitshme”, vazhdon me ankesa i madhi i ringut.
Legjenda e sportit insiston se nëse do të kishte pasur kushte për punë boksierët e Kosovës do të ishin fitues të medaljeve në ngjarjet më të mëdha.
“Unë mund t’i siguroj medalje të madhe Kosovës, por normal më duhen kushte mua dhe boksierëve. Shumë shpejt do të dalin në pah boksierët e Kosovës në Evropë dhe botë. Boksi vetëm ta ketë 20 apo 30 për qind mbështetjen mund të arrijë rezultate të mëdha”, është i sigurt Salihu.
Aziz Salihu vazhdon me shëtitjet e tij në sheshin kryesor të Prishtinës. Dhe me kërkesën për më shumë respekt e përkrahje.