Avokati dhe njëherësh ish-zëvendësministri i Brendshëm, Valdet Hoxha ka komentuar lansimin e sistemit të mbikëqyrjes elektronike në Kosovë, duke theksuar rëndësinë e tij për parandalimin e dhunës në familje dhe mbrojtjen e viktimave.
Ai ka theksuar se pajisja me hallka elektronike për dhunuesit është një masë parandaluese shumë efikase, por ka theksuar se ky proces duhet të jetë vetëm një pjesë e një sistemi më të gjerë dhe të mirë menaxhuar.
‘’Pajisja me këto hallka po besoj se do të jetë shumë efikas në parandalimin në radhë të parë të rasteve të dhunës në familje, por qëllimi dhe synimi në radhë të parë është zvogëlimi I rasteve të dhunës në familje, por nuk duhet lënë anash edhe funksionimin e sistemit sepse nuk mjafton vetëm pajisja me të cilët do të pajisen të dyshuarit për dhunë në familje, por duhet të funksionojë sistemi zingjiror, pra monitorimi’’, tha Hoxha Për Front Online.
Sipas tij, hallkat elektronike janë të nevojshme për të monitoruar dhunuesit dhe për të siguruar ndërhyrjen e shpejtë të autoriteteve, por nuk mjafton vetëm pajisja me to.
Ai më tutje tregon se duhet të funksionojë një sistem i plotë i monitorimit dhe menaxhimit të këtyre pajisjeve për të garantuar suksesin afatgjatë të këtij projekti.
Ai ka tërhequr vëmendjen për përvojat e mëparshme, kur pajisjet të ngjashme janë lënë pas dore për shkak të mungesës së mirëmbajtjes dhe funksionimit të duhur të sistemeve.
‘’Pajisja me të cilët do të pajisen të dyshuarit për dhunë në familje është shumë e mirë por duhet të funksionojë sistemi zingjiror pra monitorimi sepse nuk është hera e par që shumë pajisje të dhëna me donacion por edhe të blera nga institucionet e Kosovës në mungesë të mirëmbajtjes e funksionimit të sistemit kanë dalë nga përdorimi dhe nuk përdoren më’’, tha Hoxha.
Ai më tutje tha se duhet të behën investime në këtë drejtim për mirëmbajtje të sistemit që të funksionoj si duhet 100 %.