LAJME

Avokati i Popullit kundërshton kriteret e Qeverisë për pagën e 13-të

Avokati i Popullit kundërshton kriteret e Qeverisë për pagën e 13-të
TV Prizreni
TV Prizreni
3 Shtator 2026, 12:32

Avokati i Popullit ka publikuar Opinionin lidhur me kriteret e përcaktuara në vendimin e Qeverisë së Kosovës për dhënien e pagës së 13-të për të punësuarit që marrin pagë nga Buxheti i Republikës së Kosovës.

Institucioni i Avokatit të Popullit thekson se rregullimi i pagës së 13-të duhet të sigurojë trajtim të barabartë për të gjithë përfituesit, përmes kritereve të qarta dhe të arsyeshme ligjore, të cilat nuk e cenojnë qëllimin për të cilin është përcaktuar kjo pagë.

Në opinion, Avokati i Popullit ka analizuar Vendimin nr. 02/07 të Qeverisë për dhënien e pagës së trembëdhjetë dhe efektet e zbatimit të tij, duke e vlerësuar atë në raport me parimet e barazisë, proporcionalitetit, pritshmërisë legjitime, sigurisë juridike dhe mbrojtjes së të drejtave pasurore.

Sipas Avokatit të Popullit, përcaktimi i pagës së 13-të në Ligjin nr. 10/L-001 për Ndarjet Buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2026, konkretisht në nenin 32, paragrafi 1, krijon pritshmëri legjitime për realizimin e saj si e drejtë subjektive me karakter pasuror.

Avokati i Popullit vlerëson se kjo e drejtë lidhet drejtpërdrejt edhe me nenin 1 të Protokollit nr. 1 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, që garanton mbrojtjen e pronës.

Në Opinion thuhet se vendimet dhe kriteret administrative të nxjerra për zbatimin e një norme ligjore nuk mund t’i zvogëlojnë të drejtat e përcaktuara shprehimisht me ligj.

“Vendimet dhe kriteret administrative, të cilat nxirren për ta jetësuar një normë juridike, nuk mund t’i zvogëlojnë të drejtat të cilat janë të përcaktuara shprehimisht me ligj”, thuhet në Opinion.

Sipas Avokatit të Popullit, vendosja e kritereve shtesë përmes Vendimit nr. 02/07 të Qeverisë u cenon punonjësve që marrin pagë nga buxheti i shtetit pritshmërinë legjitime dhe sigurinë juridike, të cilat konsiderohen elemente të rëndësishme të sundimit të ligjit.

Në fund, Avokati i Popullit thotë se Opinioni mund t’i shërbejë si këshillë Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës gjatë miratimit të akteve që lidhen me pagën e 13-të, duke u kërkuar që të kenë parasysh gjithëpërfshirjen dhe trajtimin e barabartë të të gjithë punonjësve që i kanë plotësuar kushtet ligjore për përfitimin e saj.

 

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika