Avokati i Popullit publikoi sot raportin e veçantë të punës lidhur me ndikimin e pandemisë në të drejtat e njeriut, ku ofron një pamje të përgjithshme të sfidave dhe problemeve të veçanta që u përballën qytetarët në fushën e drejtave te njeriut.
Raporti “Emergjenca shëndetësore dhe ndikimi i pandemisë COVID-19 në të drejtat e njeriut në Republikën e Kosovës”, trajton ndikimin e masave kufizuese te pandemisë, në veçanti në shëndetin publik, në shëndetin mendor, në të drejtën për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, dhunën në familje, të drejtat e fëmijëve dhe ndikimi i emergjencës shëndetësore në jetën e fëmijëve, përfshirë fëmijët me aftësi të kufizuar, dhe të drejtat sociale dhe të punës.
Avokati i Popullit konstaton se shërbimet sociale edhe pse shumë të nevojshme në kohë pandemie, kanë qenë të kufizuara dhe janë shoqëruar me vështirësi të shumta. Situatën e ka përkeqësuar edhe shpallja me vonesë e granteve të rregullta me të cilat përkrahen ofruesit e shërbimeve sociale. Ai shtoi se gjatë kohës së masave kufizuese është rritur ndjeshëm numri i dhunës në familje.





