E ëma e Binak dhe Reshat Dacit, dy viktimave të vrara nga Millosh Pleskoviq gjatë luftës, ka thënë se dënimi prej 15 vjetësh për të, është shumë i ulët.
Pas shpalljes së aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, ajo ka thënë se ky dënim duhet të jetë i përjetshëm.
“M’i ka vrarë dy djem Milloshi, nga 29 vjet i kanë pasur. 15 vjet kurgjë nuk janë, janë shumë pak, ai duhet të dënohet përjetë”, ka thënë ajo para gazetarëve.
Ndërsa avokati i palës së dëmtuar, Gent Gjini ka thënë se nga provat shihet se Pleskoviqi ka qenë pjesëtar i Beretave të Kuqe (Njësia për Operacione Speciale e Serbisë), andaj dënimi ndaj tij duhet të jetë maksimal.
Sipas Gjinit, dënimi prej 15 vjetësh është diskriminues për të gjitha familjet e viktimave të luftës.
“Si avokat i palës së dëmtuar dua të them se është gjykuar një kriminel lufte me ligjet e ish- Jugosllavisë paramendojeni. Tribunali i Hagës paraqet dënime maksimale, ndërsa ky dënim është shumë pak në raport me rrethanat e masakrën që e ka bërë, zonjës ia ka masakruar dy fëmijët binjakë dhe janë faktet se si ua ka prerë gjymtyrët. E gjykata t’i dënojë me 15 vjet, me ligj të ish-Jugosllavisë, ky është diskriminim. Hera e parë që po dënohet një pjesëtar i Arkanoviqëve, i Beretave të Kuqe që kanë bërë krim. Ne do të bëjmë ankesë e ndoshta do të shkojmë edhe në Tribunal të Hagës të marrim jurisprudencë dhe praktikën gjyqësore se sa janë dënuar kriminelët e luftës jugosllave me Bereta të Kuqe, ku atje janë dënuar me dënim maksimal, të përjetshëm, ndërsa këtu dënohen me 15 vjet burgim, kjo është absurde”, ka thënë ai./KOHA/