Avni Llumnica është shpallur fajtor për tentim-vrasjen e Azem Vllasit, rast i njohur si “Syri i Popullit”.
Ai u shpall fajtor për ndihmë në vrasje të rëndë e mbetur në tentativë.
Kryetari i trupit gjykues, Musa Konxheli, ka thënë se i akuzuari Llumnica ka ikur në Maqedoni bashkë me Murat Jasharin pasi ky i fundit kishte tentuar ta vrasë Vllasin.
Llumnica u dënua me 4 vjet e 6 muaj. Ndërkohë, Sadri Ramabaja u lirua nga aktakuza pasi nuk është arritur të vërtetohet kryerja e veprës penale.
“I pandehuri Avni Llumnica është fajtor sepse më datën 13.08.2017 në Prishtinë në bashkëkryerje me të pandehurin Murat Jashari, ku i njëjti ka tentuar ta privojë nga jeta, tani të dëmtuarin Azem Vllasi, nga hakmarrja e paskrupullt dhe për shkak të motiveve të ulëta si ish-funksionar i Kosovës i viteve të 80-a që është konsideruar tradhtar i vendit… i pandehuri Avni Llumnica ka kontribuuar thelbësisht në kryerjen e veprës penale duke e ndihmuar Murat Jasharin në atë mënyrë që më datën 06.03.2017 me automjetin e tij të markës BMË me targa të Zvicrës e ka sjellë nga Zvicra në Kosovë”, ka thënë Konxheli.
Emri i organizatës “Syri i Popullit” u bë i njohur më 12 mars të vitit 2017, kur në orët e hershme të atij mëngjesi, Murat Jashari një aktivist politik i viteve të 90-ta, trokiti në derën e banesës së avokatit Azem Vllasi në Prishtinë, për ta vrarë atë.
Menjëherë pasi Vllasi hapi derën, Murat Jashari shkrepi me armë zjarri duke tentuar që ta vriste Vllasin.
Pas pak kohësh nisën arrestimet e para ku pos Jasharit që kreu tentim-vrasjen u arrestua edhe Avni Llumnica. Këta dy persona u arrestuan nën akuzat se ishin pjesëtarë të organizatës “Syri i Popullit”, e cila mori përgjegjësinë për tentim-vrasjen e Azem Vllasit.
Murat Jashari pati vdekur më 3 mars të vitit të kaluar.