LAJME

AUV ndanë 420 mijë euro për identifikimin dhe regjistrimin qenve me pronar në Kosovë

AUV ndanë 420 mijë euro për identifikimin dhe regjistrimin qenve me pronar në Kosovë
TV Prizreni
TV Prizreni
20 Mars 2022, 13:20

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka hapur tender për identifikimin dhe regjistrimin e qenve me pronar në territorin e vendit.

Ky tender është ndarë në 37 lote, në komuna të ndryshme në Kosovë.

Vlera e parashikuar për kontratë nga AUV është 420,000 euro. Ndërsa kohëzgjatja e kontratës është paraparë te jetë 12 muaj.

Konkurruese me negociata është lloji i procedurës për këtë aktivitet të prokurimit, ndërsa AUV sqaron se çfarë faktor do të merren parasysh

“Faktorët të cilët do të merren parasysh gjatë ri-ekzaminimit janë kriteret e përcaktuara nga autoriteti kontraktues sepse çmimi është i njëjtë për te gjitha komunat i caktuar.”, thuhet në njoftim.

Kriter për dhënie të kontratës, është caktuar çmimi më i ulët.

Afati për dorëzimin e tenderëve për operatorët ekonomik të interesuar të ofertojnë është shkurtuar. AUV tregon arsyet përse u shkurtua afati

“Dorëzimi i ofertave shkurtohet për arsye si shkak i qeneve me pronar po ndodh qe te rritet edhe numri i qeneve endacak kështu qe si autoritet kontraktues jemi te detyruar qe te shpallim këtë tender me afat te shkurtuar.”, thuhet në njoftim.

Data 4 prill 2022 është edhe afati për pranimin e tenderëve.

Një tender të tillë, AUV kishte iniciuar në dhjetor tw vitit 2021 mirëpo ai aktivitet i prokurimit ishte anuluar.

Ndryshe, në muajin shtator të vitit të kaluar, Fondacioni për të Drejtat e Kafshëve përmes një letre ka kërkuar nga pushteti lokal në gjithë vendin që të punojnë më shumë në menaxhimin e kafshëve, përkatësisht të qeneve endacakë.

Kjo organizatë ka përgatitur edhe një strategji kombëtare për menaxhimin dhe kontrollin e qenve endacakë në nivel vendi, të cilën edhe e kanë dorëzuar tek institucionet përgjegjëse.

Sipas një analize të Fonacionit për Drejtat e Kafshëve, janë disa institucione që duhet të kujdesen për menaxhimin sa më të mirë të qenve endacakë.

“Institucionet e nivelit qendror dhe lokal fajsonin njëra-tjetrën për situatat e vështira në komunitet për shkak qenve endacakë, prandaj FDK, edhe për këtë aspekt, ka bërë një analizë ligjore nga e cila është gjetur se institucionet më kompetente në raport me kontrollin dhe menaxhimin e qenve endacakë janë: a) Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, b) Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë, si dhe c) Autoritetet Komunale (Komunat)”, thuhet në komunikatë.

Sipas analizës, MBPZHR ka përgjegjësi dhe kompetencë në ndryshimin, plotësimin apo prezantimin e akteve nënligjore që përforcojnë zbatimin e ligjeve që rregullojnë respektimin e mirëqenies së kafshëve në Kosovë kurse AUV, ka për detyrë që të sigurojë mbarëvajtjen e projekteve të rëndësishme, siç është identifikimi dhe regjistrimi i qenve me pronar, për të parandaluar dhe ndëshkuar braktisjet e shumta të qenve dhe këlyshve në rrugë.

 

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika