Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka njoftuar se është hequr nga tregu një seri e qumështit VITA 3.2%, sepse tejkalon nivelin e lejuar të aflatoksinës M1.
Sipas një njoftimi të AUV-it, kjo seri e qumështit VITA është hequr pas analizave të kryera në Austri dhe Kosovë.
“Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) njofton se analizat laboratorike të kryera në Austri dhe Kosovë kanë konfirmuar praninë e aflatoksinës M1 mbi nivelin maksimal të lejuar në një seri të qumështit VITA UHT 3.2% yndyrë, të prodhuar nga kompania ABRAZEN SH.P.K. (Qumështorja VITA). Seria e qumështit e përfshirë në tërheqje: Produkti: VITA – Qumësht UHT 3.2% yndyrë, Prodhuesi: ABRAZEN SH.P.K. (Qumështorja VITA), Paketimi: 1 litër, Data e prodhimit: 18.07.2026, Afati i përdorimit: 18.01.2027”, thuhet në njoftimin e AUV-it me specifikat e këtij qumështi që është hequr nga tregu.
Tutje u bëhet thirrje qytetarëve që të mos e konsumojnë këtë seri të qumështit VITA UHT 3.2% dhe ta kthejnë produktin në pikën e shitjes ku e kanë blerë. Gjithashtu bëhet e ditur se ditur se në këtë fazë masa e tërheqjes nga tregu zbatohet vetëm për serinë e identifikuar më sipër dhe jo për të tjerat e këtij prodhuesi.
“Seritë dhe produktet e tjera të të njëjtit prodhues nuk janë objekt i kësaj mase, ndërsa verifikimet e mëtejshme janë në vazhdim. AUV do të informojë publikun dhe do të ndërmarrë masa shtesë nëse rezultatet e kontrolleve dhe vlerësimi i rrezikut e kërkojnë këtë”, thuhet në njoftim.
Sipas njoftimit, konfirmimi i fundit është bërë nga Instituti për Sigurinë e Ushqimit në Linz, në kuadër të Agjencisë Austriake për Shëndetësi dhe Siguri Ushqimore (AGES), dhe se ky rezultat është në përputhje me analizat e Laboratorit të Ushqimit dhe Veterinarisë në Kosovë për këtë seri të qumështit.
“Ky rast vjen pas konstatimeve të mëparshme laboratorike në Maqedoninë e Veriut, ku dy analiza të produktit LAND Milk UHT 3.2%, të prodhuar nga i njëjti operator, ABRAZEN SH.P.K., kishin evidentuar përqendrime të aflatoksinës M1 prej 0.100 dhe 0.139 ± 0.022 µg/kg, mbi nivelin maksimal të lejuar prej 0.050 µg/kg. Këto rezultate tregojnë tejkalime të përsëritura të nivelit të lejuar në produkte të të njëjtit prodhues. AUV do të verifikojë zbatimin e plotë të masës së tërheqjes dhe do të zgjerojë kontrollet në seri të tjera të prodhimit, duke përfshirë qumështin e papërpunuar, gjurmueshmërinë e furnizimit, sistemin e vetëkontrollit të operatorit dhe ushqimin e kafshëve, me qëllim identifikimin e burimit të mundshëm të kontaminimit”, thuhet mes tjerash.
Aflatoksina M1 është një substancë toksike që mund të kalojë në qumësht përmes ushqimit të kontaminuar të kafshëve.