Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës ka thënë se inspektorët bashkë me Policë kanë nisur inspektimin në lokalin gastronomik të ushqimeve të shpejta ‘’Apetit Doner’’, nga ku janë helmuar rreth 60 persona.
“Fillimisht është ndaluar puna dhe shërbimi i lokalit. Pastaj ka nisur kontrolli i detajuar i të gjitha hapësirave dhe mjeteve të kuzhinës. Gjendja e përgjithshme jo e mirë”, ka thënë AUV-i.
AUV-i ka bërë të qartë se po kryhen të gjitha analizat laboratorike të nevojshme.
“Janë evidentuar të gjitha produktet prezente ne lokal. Aty kryesisht janë gatuar ushqime të shpejta: Hamburger, doner, tost, piza etj. Është marrë origjina e produkteve prezente, është gjurmuar procesi i gatimit deri të produktet finale për konsum. Nuk ka ofruar dëshmi për pajisjen e stafit me libreza sanitare dhe nuk është kryer DDD. Janë marrë 3 mostra të produkteve ushqimore mishrat e gatuara, majoneza dhe sosa. Të gjitha mostrat janë marrë sipas procedurës standarde për dërgim në laborator. Lokali është mbyllur përkohësisht deri në nxjerrje të rezultateve të analizave laboratorike”, ka thënë tutje.