LAJME

Autoriteti i Konkurrencës nis monitorimin e çmimit të naftës

Autoriteti i Konkurrencës nis monitorimin e çmimit të naftës
TV Prizreni
TV Prizreni
5 Mars 2026, 10:49

Autoriteti i Konkurrencës i Kosovës të enjten ka njoftuar se ka nisur monitorimin e tregut të karburanteve në vend, duke përfshirë tregtimin me shumicë dhe me pakicë, me fokus të veçantë te çmimet e naftës dhe benzinës në pikat e shitjes.

Sipas njoftimit, të gjitha ndërmarrjet që ushtrojnë veprimtari në tregtimin e karburanteve në Kosovë janë aktualisht nën monitorim.

Autoriteti thekson se përmes këtij procesi synon të sigurojë mbrojtje nga marrëveshjet e ndaluara, abuzimi me pozitën dominuese dhe praktikat e bashkërenduara ndërmjet kompanive që operojnë në këtë treg.

“Çdo marrëveshje, bashkërendim apo veprim i njëanshëm ndërmjet bizneseve që ka për qëllim ose efekt rritjen artificiale të çmimeve, ndarjen e tregut apo kufizimin e konkurrencës përbën shkelje të rëndë të ligjit dhe është subjekt i sanksioneve ligjore”, thuhet në njoftim.

Sipas Autoritetit, çmimet e karburanteve në tregjet ndërkombëtare përditësohen vazhdimisht, duke reflektuar faktorë të ndryshëm si oferta dhe kërkesa, kostot e përpunimit dhe zhvillimet ekonomike e gjeopolitike. Për këtë arsye, pritet që edhe luhatjet e çmimeve në tregun vendor të pasqyrojnë ndryshimet në tregjet ndërkombëtare.

Institucioni u ka bërë thirrje bizneseve që të veprojnë në përputhje me parimet e konkurrencës së lirë dhe të ndershme, të shmangin çdo formë të bashkërendimit të çmimeve me operatorë të tjerë dhe të tregojnë përgjegjësi sociale ndaj qytetarëve dhe konsumatorëve.

Autoriteti i Konkurrencës ka bërë të ditur gjithashtu se procesi i monitorimit po zhvillohet në koordinim me Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Administratën Tatimore e Kosovës dhe Doganën e Kosovës, me qëllim të sigurimit të respektimit të legjislacionit në fuqi dhe të rregullave të tregut në vend.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika