Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut, që vepron në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, ka realizuar sot një aksion të gjerë inspektimi në bashkëpunim me inspektorët e Administratës Tatimore të Kosovës dhe të Autoritetit të Konkurrencës.
Sipas njoftimit, ky aksion kishte për synim monitorimin e zbatimit të vendimit për rregullimin e përkohshëm të çmimeve të derivateve të naftës, si dhe vendosjen e masave të tjera mbrojtëse. Përmes këtyre veprimeve synohet mbrojtja e konsumatorëve, rritja e transparencës në treg, garantimi i konkurrencës së drejtë dhe parandalimi i çrregullimeve të mundshme në treg.
Aksioni u zhvillua mbi bazën e vendimit të datës 04.03.2026 të ministres së Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, dhe u përqendrua tek mbi njëzet e pesë operatorë ekonomikë në tërë territorin e Kosovës, duke përfshirë tregtarët e produkteve të naftës për përdorim në transport.
“Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut ka vepruar në koordinim të ngushtë me Doganën e Kosovës, Administratën Tatimore dhe Autoritetin e Konkurrencës, me qëllim që çdo veprim të jetë i koordinuar dhe efektiv. Sigurojmë qytetarët e Republikës së Kosovës Inspektorati do të vazhdojë monitorimin e vazhdueshëm të tregut për të mbrojtur shëndetin dhe sigurinë e tyre, për të luftuar informalitetin dhe për të eliminuar praktikat e padrejta tregtare. Në çdo rast kur konstatohet shkelje e kërkesave ligjore, inspektorët do të ndërmarrin masa ndëshkuese sipas legjislacionit në fuqi”, thuhet në komunikatë.