Forca e Sigurisë së Kosovës gjatë vitit 2025 është furnizuar me automjete të blinduara e me dronë pa pilotë, derisa në të ardhmen pret të forcohet edhe me sisteme raketore të shteteve të fuqishme.
Për pajisjet me mjete ushtarake, Ministria e Mbrojtjes ka njoftuar disa herë gjatë periudhës njëvjeçare.
Në korrik të vitit 2025, FSK ka pranuar disa automjete të blinduara nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në kuadër të një programi për blerje të veçanta.
Ndërkohë, muaji gusht ishte momenti kur u zhvillua ceremonia solemne e pranim-dorëzimit të autoblindave me prejardhje amerikane. Ministria e Mbrojtjes kishte njoftuar se ky investim është i rëndësishëm në modernizimin e ushtrisë.
“Ky përkushtim siguron që FSK-ja të jetë një forcë e avancuar dhe e ndërveprueshme, e gatshme të bashkëpunojë ngushtë me ushtritë e vendeve anëtare të aleancës euro-atlantike, për të krijuar një të ardhme të sigurt dhe të qëndrueshme për gjithë qytetarët tanë.”- thuhej mes tjerash në njoftimin e Ministrisë së Mbrojtjes.
Nga Shtetet e Bashkuara, Kosova kishte marrë edhe fluturaket pa pilot “AeroVironment RQ-20 Puma”. Sipas njoftimit të datës 08.09.2025, këto fluturake do të forcojnë fushën e vëzhgimit dhe operacioneve ajrore pa pilot.
Kosova ka pranuar dronë edhe nga Turqia. FSK-së i erdhën dronët “Skydagger” të prodhuar nga kompania “Bayraktar”. Ministria e Mbrojtjes në njoftimin për pranimin e tyre ka thënë se me këtë furnizim forcohet kapaciteti goditës i ushtrisë.
“Kontrata me kompaninë ‘Bayraktar’, që është kompania amë e prodhuesit “Skydagger”, u nënshkrua në nëntor të vitit të kaluar. Sipas planit fillestar, dronët duhej të mbërrinin në janar të vitit 2026, mirëpo, falë përkushtimit dhe profesionalizmit të kompanisë, dorëzimi u realizua tre muaj më herët.”- kishte njoftuar Ministria e Mbrojtjes.
Ministria e Mbrojtjes, në përgjigje me shkrim për KALLXO.com kanë thënë se nga viti 2021 deri në nëntor 2025 u investuan mbi 400 milionë euro në blerje të sistemeve të armatimit.
“Sa i përket llojeve të blerjes të liferuara dhe atyre në pritje, janë informacione të klasifikuara dhe rrjedhimisht nuk mund të publikohen, përveç atyre që tashmë janë ndarë me publikun.”- janë përgjigjur nga kjo Ministri në pyetjet e drejtuara nga KALLXO.com.
Në bazë të raporteve të buxhetit të dërguara nga Ministria e Mbrojtjes, kuptohet se vetëm gjatë vitit 2025 janë shpenzuar 10 milionë e 280 mijë euro për municione, kurse 83 milionë e 910 mijë e 435 euro u shpenzuan për sisteme të armatimit.
Kjo i bie që gjatë 2025-tës, Ministria e Mbrojtjes ka shpenzuar në municion e armatim mbi 94 milionë euro.
Kosova në vitin 2024 kishte nisur kërkesë Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të blerë sistemin raketor kundërtank “Javelin”.
Në atë vit, Departamenti Amerikan i Shtetit kishte aprovuar kërkesën e Kosovës për blerjen e 246 raketave “Javelin” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës kostoja me vlerë 75,000,000 dollarë.
“Republika e Kosovës ka kërkuar të blejë 246 raketa Javelin FGM-148F, duke përfshirë 6 raketa fluturuese dhe 24 Njësi lëshimi të Komandës së Lehtë Javelin.” – kishte bërë të ditur Agjencia e Bashkëpunimit të Sigurisë dhe Mbrojtjes (DSCA) në Uashington.
Për këtë sistem, Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci në emisionin #KallxoPërnime, i cili u transmetua më 21.11.2025, kishte deklaruar se raketat Javelin të blera në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pritet të mbërrijnë në Kosovë gjatë viti të ardhshëm(2026).
“Përveç raketave ‘Javelin’ jemi duke bërë blerje- dhe kemi bërë blerje të shumta- të sistemeve të armatimit nga ShBA-të dhe shtetet e tjera. Është një periudhë kur pritet të përcaktohet koha e arritjes. Ne jemi në pritje të konfirmimit. Ne jemi duke diskutuar që t’i kemi në periudhën më të hershme. Viti 2026 vlerësoj që do të jetë koha kur patjetër do të kemi një sasi”- kishte deklaruar Maqedonci.
Kosova po ashtu synon të blej edhe helikopterët “Black Hawk”.
Në një komunikatë për media të datës 29.09.2025 nga Zyra e Kryeministrit, Kryeministri në detyrë Albin Kurti në Institutin Hudson në SHBA kishte thënë se diskutime për blerjet e tyre po vazhdojnë.
“Gjatë mandatit tonë e kemi katërfishuar buxhetin tonë të mbrojtjes, me pothuajse të gjithë buxhetin shtesë që i dedikohet sistemeve të reja. Midis këtyre blerjeve janë sistemet anti-tank Javelin, UAV-të, ASV-të, si dhe rifurnizimi i plotë i ushtrisë sonë me armë të vogla të reja, dhe diskutimet për blerjen e helikopterëve Black Hawk janë duke vazhduar. Gjithashtu, kemi nënshkruar Marrëveshjen për Mbrojtjen e Informacionit të Klasifikuar dhe CISMOA-n, duke u bërë vendi i 33-të në nivel global me këtë status të besuar” – kishte thënë ai.
Më 24.12.2025, Kurti kishte prezantuar pamje të sistemit raketor kundërtank “Panzerfaust 3”, me të cilin pritet të pajiset Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK).
Përmes një shkrimi në rrjete sociale, këtë sistem gjerman ai e ka vlerësuar si një prej më të avancuarve në kategorinë e armëve kundër mjeteve të blinduara.
“Gjatë mandatit tonë, Ministria e Mbrojtjes, përveç të tjerash, ka realizuar edhe një blerje tjetër të rëndësishme për forcimin e kapaciteteve mbrojtëse të Republikës së Kosovës: sistemin raketor antitank gjerman “Panzerfaust 3”, një nga sistemet më të avancuara dhe më të besueshme të këtij lloji, në përdorim nga ushtritë e vendeve të NATO-s” – ka shkruar Kurti.
Lëvizja Vetëvendosje e cila tashmë ka fituar zgjedhjet e parakohshme të 28.12.2025, në programin e saj ka premtuar 1 miliard euro investime në armatim të ushtrisë.
“Në mandatin që na pret, do të investojmë edhe 1 miliard euro të tjera në armatim dhe pajisje moderne ushtarake, ashtu që kushdo që mendon se mund të na sulmojë, të mendojë dy herë; e kur mendon dy herë, pastaj e lë krejt.”- thuhet në programin e kësaj partie.
Më 14 dhjetor 2018, në Kuvendin e Kosovës, 106 deputetët ia dhanë dritën jeshile trasformimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri, duke votuar tri projektligje me të cilat niste transformimi në një periudhë 10 vjeçare.
Me ligj, FSK është forcë ushtarake multietnike, profesionale, e armatosur dhe e autorizuar për të mbrojtur sovranitetin dhe integritetin territorial, qytetarët, pronën dhe interesat e Republikës së Kosovës./Kallxo.com/
