LAJME

Auditori gjen paqartësi në tenderin për blerjen e dy autoambulancave në Prizren

Auditori gjen paqartësi në tenderin për blerjen e dy autoambulancave në Prizren
TV Prizreni
TV Prizreni
12 Qershor 2026, 11:00

Komuna e Prizrenit kishte zhvilluar një procedurë prokurimi për blerjen e dy autoambulancave me kërkesa të paqarta dhe kundërthënëse në dokumentet e tenderit, duke krijuar rrezik për cenimin e konkurrencës dhe transparencës në proces, ka vlerësuar Zyra Kombëtare e Auditimit në raportin për këtë komunë.

Sipas raportit, gjetja lidhet me tenderin për furnizim me dy autoambulanca për nevojat e shëndetësisë primare në vlerë prej 139 mijë e 450 euro.

Auditori ka konstatuar se në njoftimin për kontratë dhe dosjen e tenderit ishin vendosur kërkesa që bien në kundërshtim me njëra-tjetrën.

Në raport thuhet se komuna kishte paraparë se variantet nuk pranohen ndërsa në anën tjetër kishte kërkuar a-testin për konvertimin e veturës në autoambulancë.

“Në kontratën për “Furnizim me dy autoambulanca për nevojat e shëndetësisë primare” në vlerë 139,450€, Komuna bazuar në kërkesat e parapara në njoftimin për kontratë dhe dosjen e tenderit kishte vendosur kërkesat të paqarta-kundërta, ku në njërën anë nuk ka lejuar variantet përkatësisht modifikimin ndërsa të kërkesat e kapacitetit teknik profesional ka kërkuar a-test të konvertimit të veturës në autoambulancë.” – thuhet në gjetje të raportit.

Sipas auditorit, kjo krijon paqartësi për operatorët ekonomik, pasi në njërën anë nuk lejohen modifikimet apo variantet e automjeteve, ndërsa nga ana tjetër kërkohet dëshmi për konvertimin e tyre në autoambulancë.

Auditori vlerëson se kjo ka ndodhur për shkak të mangësive në kontrollin e brendshëm dhe mungesës së monitorimit së prokurimit.

“Kjo ka ndodhur si rezultat i mungesës së funksionimit të kontrolleve të brendshme apo neglizhencës nga ana e zyrtarëve përgjegjës dhe mungesa e monitorimit nga zyra e prokurimit.” – vlerëson raporti.

Raporti tutje thotë se mos-harmonizimi i kërkesave në shpalljen e njoftimit për kontratë dhe kërkesave teknike profesionale nga ana e autoritetit kontraktues, mund të ndikojnë në shkeljen e transparencës.

Më tej, në raport thuhet se paqartësitë në dokumentacion mund të kenë bërë operatorët tjerë, përkatësisht ofertuesit konkurrues të mos ofertojnë nga paqartësia.

Për këtë çështje, auditori i ka rekomanduar që kryetarit të komunës të sigurojë që zyrtarët e prokurimit, gjatë përgatitjes së dosjeve të tenderit, të hartojnë kërkesa të qarta dhe të detajuara, me qëllim zhvillimin e proceseve të rregullta të prokurimit dhe mbrojtjen e interesit publik.

Komuna e Prizrenit është pajtuar me gjetjen e raportit.

Për më tepër, nëpërmjet letër konfimimit [03.06.2026] e ka konfirmuar pranimin e draft raportit për auditimin e pasqyrave financiare vjetore të Komunës së Prizrenit për vitin 2025, dhe janë pajtuar me gjetjet dhe rekomandimet, pa ndonjë koment në përmbajtjen e raportit.

Komuna e Prizrenit ka marrë opinion të kualifikuar për pasqyrat financiare vjetore.

Ky raport ka rezultuar me 14 rekomandime, gjashtë janë rekomandime të reja dhe tetë të përsëritura.

Raporti i auditimit për pasqyrat financiare për vitin 2024 ka rezultuar me 12 rekomandime. Deri ne fund të auditimit të realizuar nga ZKA për vitin 2025 katër rekomandime janë zbatuar, tetë rekomandime nuk kanë filluar të zbatohen ende.

Ndryshe, Zyra Kombëtare e Auditimit ka njoftuar se për vitin 2025 ka kryer 133 auditime. Po ashtu, në konferencë për media nga Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, është njoftuar se 80 raste janë dërguar në prokurori gjatë vitit 2025.

Raportin e plotë të auditimit për vitin 2025 të Komunës e Prizrenit mund ta gjeni KËTU./Kallxo.com

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika