LAJME

ATK shënon 26-vjetorin e themelimit, theksohet roli kyç në qeverisjen e mirë dhe drejtësinë fiskale

ATK shënon 26-vjetorin e themelimit, theksohet roli kyç në qeverisjen e mirë dhe drejtësinë fiskale
TV Prizreni
TV Prizreni
20 Janar 2026, 12:46

Administrata Tatimore e Kosovës ka shënuar 26-vjetorin e themelimit përmes një konference tematike, në të cilën morën pjesë ish-punonjës të ATK-së, drejtues të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare, përfaqësues të bizneseve si dhe organizata joqeveritare.

Konferenca u hap me fjalë rasti nga zëvendësministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Agon Dobruna, dhe drejtori i Përgjithshëm i ATK-së, Mentor Hyseni.

Sipas njoftimit të ATK-së, zëvendësministri Dobruna theksoi se Qeveria e Republikës së Kosovës e konsideron Administratën Tatimore të Kosovës si një shtyllë kyçe të qeverisjes së mirë dhe të drejtësisë fiskale. Në njoftim thuhet se ai vlerësoi progresin e ATK-së gjatë viteve të fundit, veçanërisht në aspektin e digjitalizimit të proceseve dhe shërbimeve tatimore. Sipas tij, ky transformim ka rritur efikasitetin operacional, ka zvogëluar ndërhyrjen njerëzore dhe hapësirat për keqpërdorime, si dhe ka përmirësuar ndjeshëm përvojën e tatimpaguesve. Falë këtyre reformave, ATK sot ka arritur një nivel të lartë performance institucionale, të krahasueshme me administratat tatimore të rajonit dhe më gjerë, theksoi ai.

Nga ana tjetër, siç bëhet e ditur në njoftim, drejtori i Përgjithshëm i ATK-së, Mentor Hyseni, rikujtoi se themelimi i ATK-së në vitin 2000 ishte një nga ndërtimet e para institucionale pas luftës, në një kohë kur bazat ishin të brishta dhe kapacitetet të kufizuara, por sipas tij, vizioni dhe misioni ishin të qarta: ndërtimi i një sistemi tatimor që do të siguronte rend, transparencë dhe integritet në mbledhjen e të hyrave publike.

Ai theksoi se rrugëtimi 26-vjeçar i ATK-së nuk ka qenë as i lehtë e as i shpejtë, por është ndërtuar mbi përkushtimin, profesionalizmin dhe sakrificën e brezave të punonjësve dhe ekspertëve që kanë kontribuar në konsolidimin institucional. Hyseni vlerësoi gjithashtu mbështetjen e vazhdueshme të institucioneve dhe organizatave ndërkombëtare, të cilat përmes asistencës teknike, transferimit të njohurive dhe standardeve më të mira ndërkombëtare kanë luajtur rol të rëndësishëm në forcimin e ATK-së, sipas tij.

Në fjalën e tij, drejtori Hyseni prezantoi Planin Strategjik dhe vizionin ATK 2030, duke theksuar një qasë të re institucionale ndaj bizneseve dhe tatimpaguesve, e bazuar në më pak ndëshkime dhe më shumë edukim, komunikim dhe partneritet. Kjo qasje, sipas ATK-së, synon rritjen e përmbushjes vullnetare të obligimeve tatimore dhe ndërtimin e një marrëdhënieje të qëndrueshme besimi ndërmjet ATK-së dhe komunitetit të biznesit.

Ai potencoi se digjitalizimi dhe inovacioni teknologjik do të vazhdojnë të jenë shtylla kryesore e reformave, përmes zgjerimit të shërbimeve elektronike, automatizimit të proceseve dhe ofrimit të shërbimeve më të shpejta, më të sigurta dhe më transparente për tatimpaguesit. Po ashtu, Hyseni theksoi rëndësinë e forcimit dhe rritjes së kapaciteteve njerëzore profesionale brenda ATK-së, jo vetëm përmes trajnimeve të vazhdueshme dhe zhvillimit profesional të stafit ekzistues, por edhe përmes rritjes së numrit të punonjësve me staf të ri, të kualifikuar dhe me vizion modern, si parakusht për ndërtimin e një administrate tatimore moderne, efikase dhe të qëndrueshme, u shpreh ai.

Në përmbyllje, drejtori i Përgjithshëm ritheksoi përkushtimin e ATK-së për forcimin e mëtejmë të bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë dhe institucionet vendore, me synimin që deri në vitin 2030, Administrata Tatimore e Kosovës të jetë një institucion modern, inovativ dhe i besueshëm, në shërbim të zhvillimit ekonomik dhe drejtësisë fiskale në Republikën e Kosovës.

Në kuadër të konferencës u mbajtën tri panele diskutimi, të fokusuara në konsolidimin institucional të ATK-së, partneritetin me bizneset, si dhe digjitalizimin dhe inovacionin si mjete kyçe për rritjen e transparencës dhe besimit të tatimpaguesve.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika