Dy muajt e parë të këtij viti janë karakterizuar me rritje të të hyrave tatimore në Kosovë, duke reflektuar një nivel më të lartë të përmbushjes së obligimeve nga tatimpaguesit dhe përmirësim të vazhdueshëm të proceseve të administrimit fiskal.
Sipas të dhënave të Administratës Tatimore të Kosovës, gjatë kësaj periudhe janë mbledhur 206.9 milionë euro të hyra nga tatimet. Kjo paraqet një rritje prej 22.6 milionë eurosh apo 12.2 për qind krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.
Nga ATK-ja theksojnë se kjo rritje nuk reflekton vetëm performancën më të mirë në mbledhjen e të hyrave, por edhe progresin në forcimin e administrimit tatimor si dhe në zgjerimin e bazës së tatimpaguesve që përmbushin rregullisht obligimet e tyre.






