Administrata Tatimore e Kosovës ua rikujton të gjithë personave të cilët ofrojnë shërbime si “freelancer”, “influencer” “out-source” etj., se janë të detyruar të deklarojnë dhe të paguajnë tatimet dhe kontributet pensionale, në përputhje me legjislacionin tatimor në fuqi.
Në njoftim thuhet se aktivitetet e ATK-së, në vazhdimësi, do të përqendrohen pikërisht te personat, të cilët nuk i deklarojnë të ardhurat e realizuara dhe nuk paguajnë tatimet dhe kontributet pensionale.
“Të gjithë personat të cilët krijojnë të ardhura në Kosovë dhe jashtë Kosovës nga aktiviteti i tyre si ‘freelancer’, ‘influencer’, ‘out-source’ etj., janë të obliguar të deklarojnë dhe paguajnë tatimet sipas rregullave mbi objektin e tatimit bazuar në legjislacionin tatimor të Kosovës në fuqi”, thuhet në njoftimin e ATK-së, raporton KosovaPress.
Sipas ATK-së, kur shërbimi si “freelancer”, “influencer” “out-source” etj., ofrohet si i punësuar, të ardhurat nga paga i nënshtrohen tatimit të mbajtur në burim nga punëdhënësi vendor, ndërsa nëse i punësuari gjendet në Kosovë dhe punëdhënësi jashtë Kosovës, atëherë personi përfitues obligohet që individualisht të bëjë pagesën e tatimit dhe kontributit pensional.
Tutje thuhet se deklarimi dhe pagesa e tatimit për të ardhurat e realizuara nga aktiviteti “freelancer”, “influencer” “out-source” etj. bëhet përmes Sistemit Elektronik EDI, në periudhë vjetore apo mujore, varësisht nga zgjedhja që bën personi.





