Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) brenda këtij katër mujori ka shënuar rritje të të hyrave prej 54.6 për qind më shumë se vitin 2020, kështu tha zëdhënësja e këtij institucioni, Valentina Bytyqi-Sefa.Bytyqi-Sefa ka treguar se totali i të hyrave që ka inkasuar ATK brenda këtyre katër muajve është 201.3 milionë euro.
“Nëse flasim për katër mujorin e parë të këtij viti atëherë Administrata Tatimore e Kosovës është duke përformuar jashtëzakonisht mirë, ku në vazhdimësi ka pasur tejkalim të të hyrave.
Deri më tani kemi arritur që të mbledhim 201.3 milionë euro që rast se e krahasojmë me periudhën e njëjtë të vitit 2020 atëherë ne kemi inkasuar më shumë për 54.6 milionë euro. Mirëpo nëse e krahasojmë më planet të cilat i kemi hartuar për këtë periudhë atëherë ne kemi arritur që të inkasojmë 15.8 milionë më shumë sesa është planifikuar për këtë katër mujor”, është shprehur ajo.
Sipas Bytyqi- Sefës ATK me këtë tempo të punës do të arrijë jo vetëm të përmbush projeksionet e parapara, por edhe t’i tejkalojë ato.
“Në bazë të këtij trendi dhe në bazë të kësaj ecurie të cilën është duke e mbajtur, këtë tempo të punës në fakt, besojmë që ATK do të arrijë që të realizojë planifikimet e parapara dhe zotimet të cilat i janë dhënë para Qeverisë së Republikës dhe besojmë që do të arrijmë të realizojmë projeksionin e paraparë njëkohësisht dhe të kemi edhe tejkalim”, ka shtuar ajo.





