LAJME

ATK dhe universitetet thellojnë bashkëpunimin për praktikantë në fushën e TI-së

ATK dhe universitetet thellojnë bashkëpunimin për praktikantë në fushën e TI-së
TV Prizreni
TV Prizreni
23 Shkurt 2026, 13:35

Me iniciativë të drejtorit të përgjithshëm të Administratës Tatimore të Kosovës, Mentor Hyseni, u zhvillua një takim i rëndësishëm me përfaqësues të universiteteve vendore, me fokus në zgjerimin e bashkëpunimit institucional dhe angazhimin e praktikantëve në fushën e Teknologjisë së Informacionit.

Në takim mori pjesë edhe dekani i Fakulteti i Shkencave Kompjuterike (FSHK), prof. asoc. dr. Arsim Susuri, i cili theksoi rëndësinë e lidhjes së arsimit të lartë me institucionet publike përmes programeve praktike që përgatisin studentët për tregun e punës dhe përfshirjen në projekte reale zhvillimore.

Takimi u vlerësua si shumë konstruktiv, duke reflektuar gatishmërinë dhe qasjen bashkëpunuese të të gjitha palëve për të krijuar ura lidhëse ndërmjet arsimit të lartë dhe institucioneve publike. Në qendër të diskutimeve ishte përfshirja e studentëve në projekte konkrete zhvillimore brenda ATK-së, me theks të veçantë në profilet e zhvilluesve të softuerit dhe analizës/menaxhimit të të dhënave.

Sipas dokumentit të prezantuar gjatë takimit, programi i praktikës do të zgjasë 12 muaj, me angazhim me orar të plotë. Praktikantët e përzgjedhur do të kompensohen nga ATK me 500 euro në muaj.

Dokumenti i dërguar për shqyrtim përfshin kriteret dhe metodologjinë e vlerësimit për përzgjedhjen e praktikantëve në dy profile kryesore:

  • Zhvillues (Software Developer)
  • Analizë dhe Menaxhim i të Dhënave (Data Analyst / Data Management)

Qëllimi i këtij dokumenti është të sigurojë një proces transparent dhe meritokratik të përzgjedhjes, duke garantuar që kandidatët e përzgjedhur të kenë kompetencat e nevojshme për të kontribuar në projektet strategjike të institucionit.

Një ndër temat kryesore të diskutimit ishte edhe sistemi e-Inspection, për të cilin ATK ka shprehur interes për bashkëpunim me universitetet në zhvillimin dhe funksionalizimin e tij. Dokumenti përkatës është përcjellë për shqyrtim, me qëllim të eksplorimit të mundësive konkrete të angazhimit akademik në këtë projekt.

“Ky bashkëpunim synon të krijojë një model të qëndrueshëm partneriteti ndërmjet sektorit publik dhe institucioneve të arsimit të lartë, duke ofruar përvojë praktike për studentët dhe duke forcuar kapacitetet teknologjike të ATK-së. Palët u dakorduan që komunikimi dhe koordinimi do të vazhdojnë në javët në vijim për të konkretizuar hapat e radhës në implementimin e këtij programi” – thuhet në njoftim.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika