Në orët e mbrëmjes së sotme, në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, ka aterruar një aeroplan ushtarak britanik.
Në të ishin ushtarët britanikë, të cilët do t’i bashkohen forcave të KFOR-it në Kosovë.
Lajmin për aterrimin e tyre e bëri të ditur NATO-ja përmes një postimi në X.
“Personeli i Mbretërisë së Bashkuar nga Regjimenti Mbretëror i Yorkshire i caktuar në forcat rezervë të NATO-s në mbështetje të misionit të KFOR-it të udhëhequr nga NATO-ja është vendosur përkohësisht në Kosovë, për një ushtrim rutinë të stërvitjes së provave operative me trupat e tjera të KFOR-it”, ka shkruar NATO në postim.
Ky ushtrim është planifikuar të zgjasë nga data 18 shtator deri në fund të tetorit.
Kontingjenti ushtarak britanik përbëhet nga më shumë se 300 trupa.
KFOR-i ka njoftuar paraprakisht se qëllimi i këtyre stërvitjeve është që të testojë procedurat ekzistuese për dislokimin e trupave shtesë dhe integrimin e tyre brenda misionit të KFOR.
“Qëllimi i stërvitjeve është të testojë procedurat ekzistuese për dislokimin e shpejtë të trupave shtesë dhe integrimin e tyre me misionin e KFOR-it. Stërvitja mbështet gatishmërinë e KFOR-it për t’iu përgjigjur zhvillimeve relevante të sigurisë, në mënyrë që të sigurohet zbatimi i vazhdueshëm dhe efektiv i mandatit tonë të OKB-së – bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999 – për të kontribuar në një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit dhe komunitetet që jetojnë në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme”.
Misioni paqeruajtës ka thënë se pas përfundimit të stërvitjes, kontingjenti do të kthehet në Mbretërinë e Bashkuar.
“KFOR do të marrë të gjitha masat për të zbutur efektet në trafikun rrugor, të cilat mund të priten si rezultat i lëvizjeve së personelit ushtarak dhe automjeteve para dhe gjatë stërvitjeve”, u tha në njoftimin e KFOR-it.
UK personnel from the Royal Yorkshire Regiment assigned to NATO reserve forces in support to the #NATO-led #KFOR mission have been temporarily deployed to Kosovo, for a routine Operational Rehearsal Training exercise with other KFOR troops. pic.twitter.com/gtTVbqTKOT
— NATO Kosovo Force – KFOR (@NATO_KFOR) September 18, 2024