Kombëtarja e Kosovës në futboll nesër do të fillojë një cikël të ri, atë në Ligën e Kombeve të edicionin 2022/23.Ndeshja e parë e “Dardanëve” në këtë kompeticion do të jetë ajo ndaj Qipros në udhëtim, që zhvillohet në stadiumin “AEK” nga ora 18:00, shkruan GazetaBlic Sport.
Ish sulmuesi i Kosovës, Atdhe Nuhiu, i cili ka luajtur edhe në kampionatin e Qipros, tek skuadra e APOEL, thotë se Kosova mund të arrijë rezultat të mirë në ballafaqimin e nesër, megjithatë potencon se kundërshtarët nuk janë aq të lehtë se sa po flitet.“Besoj shumë tek Kosova që do të arrijë një rezultat të duhur, pra fitore. Kosova ka lojtarë që luajnë në liga më të mira, ka lojtarë më të mirë, por duhet të kenë kujdes sepse lojtarët e Qipros, sidomos teknikisht janë shumë më të mirë sesa mendojnë njerëzit. E di këtë, pasi e kam pa vet kur kam luajtur në Qipro, në ligë lojtarët janë shumë më të mirë se sa vlerësohen, sepse nuk i shikojnë shumë ndeshjet. Nuk bën të marrim lojën si të lehtë, sepse mund të befasohemi, por nëse Kosova është 100% e foksuar, jam i bindur që do të fitojmë ndeshjen”, tha fillimisht Atdhe Nuhiu për ‘GazetaBlic Sport’.
I pyetur nëse Kosova mund ta fitojë grupin dhe të arrijë diçka të madhe, Nuhiu tha se mund të arrihet diçka e tillë – por kundërshtarët si Greqia e Irlanda e Veriut janë kundërshtarë të rrezikshëm, por nëse luftojmë për njëri tjetrin, atëherë ka shanse për “Dardanët”.





